Shqipëria Postuar më 7 Korrik 2026, 14:19

QKB u bën thirrje bizneseve të dorëzojnë bilancet vjetore deri më 31 korrik

Nga Edel Strazimiri

QKB u bën thirrje bizneseve të dorëzojnë bilancet vjetore

Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve tregtare që kanë detyrimin ligjor për depozitimin e pasqyrave financiare të vitit ushtrimor 2025, të përmbushin këtë detyrim brenda datës 31 korrik 2026.

Sipas njoftimit të QKB-së, depozitimi i pasqyrave financiare kryhet në mënyrë elektronike përmes portalit e-Albania, duke përdorur shërbimin “Depozitimi i pasqyrave financiare dhe raporteve të auditimit (për subjektet me administrator shqiptar dhe/ose të huaj)”.

QKB rikujton se mosdorëzimi i pasqyrave financiare brenda afatit ligjor sjell pasoja administrative, në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi.

Dokumentacioni që duhet të depozitohet, kur kërkohet nga ligji, përfshin pasqyrat financiare vjetore, raportin e ecurisë së veprimtarisë dhe raportin e auditimit.

Detyrimin për raportimin dhe dorëzimin e pasqyrave financiare e kanë subjektet që janë tatimpagues të Tatimit mbi Fitimin Korporativ ose Tatimit mbi të Ardhurat Personale Biznesore, në rastet kur realizojnë një qarkullim vjetor mbi 5 milionë lekë.

QKB u bën thirrje bizneseve të mos e lënë dorëzimin e dokumentacionit për ditët e fundit, me qëllim shmangien e vonesave dhe problematikave teknike gjatë procesit.

Për informacion shtesë ose asistencë teknike, subjektet mund të kontaktojnë QKB-në në adresën elektronike [email protected] ose në numrin pa pagesë 0800 80 02.

 

 

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat