Analiza Postuar më 24 Qershor 2026, 11:44

Si ndryshoi struktura e blegtorisë gjatë vitit 2025? Numri i koshereve u rrit me 9.8%, ndërsa rënia më e fortë u regjistrua te derrat

Nga Eldiona Serani

Si ndryshoi struktura e blegtorisë gjatë vitit 2025? Numri i koshereve

Gjatë vitit 2025, sektori i blegtorisë në vend ka shënuar disa ndryshime në strukturë dhe në nivelin e prodhimit krahasuar me një vit më parë. Sipas të dhënave nga INSTAT, disa kategori të kafshëve kanë regjistruar rritje, ndërsa të tjera kanë pësuar rënie.

Numri i gjedhëve në vend është rritur me 1.1% gjatë vitit 2025, duke kaluar nga 272 mijë krerë në 275 mijë krerë. Edhe numri i lopëve ka shënuar një rritje prej 0.8%, duke u rritur nga 224 mijë në 226 mijë . Nga ana tjetër, numri i të leshtave ka rënë me 0.9% krahasuar me vitin 2024. Delet, si kategoria më përfaqësuese brenda kësaj strukture, kanë shënuar një rënie më të theksuar prej 3.8%, duke zbritur nga 968 mijë në 932 mijë krerë.

Edhe numri i të dhirtave ka pësuar një ulje prej 7.4%. Brenda kësaj kategorie, numri i dhive ka regjistruar rënien më të madhe me 7.9%, duke kaluar nga 501 mijë krerë në 461 mijë krerë. Rënia më e ndjeshme në strukturën blegtorale është regjistruar te derrat, ku numri është ulur me 28.2%, duke kaluar nga 104 mijë në 75 mijë. Gjithashtu, brenda kësaj kategorie, numri i dosave është reduktuar me 13.6%.

Edhe numri i shpendëve ka shënuar një rënie të lehtë prej 0.5%. Megjithatë, brenda kësaj kategorie, numri i pulave ka regjistruar uljen më të madhe me 8.3%. Ndërkohë, numri i njëthundrakëve ka rënë me 3.2%.Një tendencë pozitive është vërejtur te bletaria, ku numri i koshereve të bletëve është rritur me 9.8%, duke kaluar nga 587 mijë koshere në vitin 2024 në 645 mijë koshere në vitin 2025.

Sipas shpërndarjes gjeografike, qarqet me numrin më të lartë të gjedhëve për vitin 2025 janë Fieri me 13.9% dhe Korça me 12.6% të totalit të krerëve. Përqendrimi më i madh i të leshtave është regjistruar në qarkun e Vlorës me 26.5% dhe në qarkun e Gjirokastrës me 17.3%. Po këto qarqe kanë edhe përqendrimin më të lartë të të dhirtave, përkatësisht me 24% dhe 16.4% të totalit të krerëve. Numri më i lartë i derrave është regjistruar në qarkun e Lezhës me 38.6% dhe në qarkun e Shkodrës me 32.7%.

Sa i përket prodhimeve blegtorale, prodhimi i përgjithshëm i qumështit ka shënuar një ulje prej 0.1%, duke kaluar nga 876 mijë tonë në vitin 2024 në 868 mijë tonë në vitin 2025. Qumështi i lopës vijon të jetë burimi kryesor i prodhimit, duke përbërë 85.7% të totalit, i ndjekur nga qumështi i deles me 7.1% dhe ai i dhisë me 7.2%.

Ndërkohë, prodhimi i mishit në peshë të gjallë ka shënuar rritje me 2.5%, duke kaluar nga 130 mijë  tonë në 133 mijë tonë.Prodhimi i vezëve ka pësuar po ashtu  rënie gjatë vitit 2025. Nga 888 milionë vezë të prodhuara në vitin 2024, prodhimi ka zbritur në 837 milionë vezë, duke shënuar një ulje prej -5.8%. Në të kundërt, prodhimi i mjaltit ka ndjekur një tendencë pozitive, duke u rritur me 6%, nga 5,940 tonë në 6,299 tonë gjatë vitit 2025.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat