Analiza Postuar më 20 Korrik 2026, 10:37

Si ndryshuan eksportet në gjysmën e parë të vitit? Mineralet, metalet dhe makineritë kompensojnë rënien e tekstileve

Nga Scan TV

Si ndryshuan eksportet në gjysmën e parë të vitit?

Eksportet shqiptare e mbyllën gjashtëmujorin e parë të vitit me rritje, por zgjerimi vazhdon të mbështetet te një numër i kufizuar grupesh mallrash. Mineralet, lëndët djegëse, së bashku me materialet e ndërtimit, metalet dhe makineritë, kompensuan rënien e tekstileve dhe të disa sektorëve të tjerë tradicionalë.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, eksportet arritën në rreth 193.4 miliardë lekë gjatë periudhës Janar-Qershor 2026, duke u rritur me 6.1% krahasuar me një vit më parë. Importet u ngjitën në afërsisht 449.8 miliardë lekë, me një zgjerim prej 4.3%.

Pavarësisht se eksportet u rritën më shpejt në përqindje, deficiti tregtar u zgjerua në rreth 256.4 miliardë lekë, nga 249.1 miliardë lekë një vit më parë. Megjithatë, shkalla e mbulimit të importeve nga eksportet u përmirësua lehtë, duke arritur në rreth 43%.

Kontributin kryesor në rritjen e shitjeve jashtë vendit e dha grupi “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”. Eksportet e tij arritën në 42.6 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 21.9%. Vetëm ky grup shtoi rreth 7.7 miliardë lekë në vlerën e eksporteve, nga 11.1 miliardë lekë që ishte rritja totale, kjo e ndikuar nga situata në Lindjen e Mesme.

Ashtu si në qërshor, ecuri pozitive shënuan edhe materialet e ndërtimit dhe metalet, me një rritje prej 14.9%, duke arritur në 28.4 miliardë lekë. Eksportet e makinerive dhe pajisjeve u zgjeruan me 14.5%, ndërsa ushqimet, pijet dhe duhani regjistruan një rritje më të moderuar prej 3.4%.

Në drejtim të kundërt vijuan tekstilet dhe këpucët. Eksportet e këtij grupi ranë me 6.7%, nga 54.7 miliardë lekë në rreth 51 miliardë lekë, duke humbur afërsisht 3.7 miliardë lekë brenda një viti. Pavarësisht rënies, tekstilet dhe këpucët mbeten ende grupi më i madh i eksporteve shqiptare.

Tkurrja më e fortë në përqindje u regjistrua te lëkura dhe artikujt prej saj, me 19.6%. Në rënie rezultuan edhe prodhimet e drurit dhe letrës me 7.6%, si dhe produktet kimike e plastike me 1.1%.

Në krahun e importeve, kategorinë më të madhe e përbënë makineritë, pajisjet dhe pjesët e këmbimit, me mbi 116 miliardë lekë dhe një rritje prej 5.2%. Importet e ushqimeve dhe ato të mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike u zgjeruan me nga 7.2%, ndërsa produktet kimike dhe plastike u rritën me 2.9%.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat