FunData Postuar më 22 Korrik 2026, 10:52

Shqipëria “fiton garën” e vizitorëve me Kosovën/ Tërheqim më shumë vizita në struktura, fluksi kulmoi në muajin Maj

Nga Xhorxhina Deda

Shqipëria “fiton garën” e vizitorëve me Kosovën/

Shqipëria ka pritur dukshëm më shumë vizitorë nga Kosova sesa Kosova nga Shqipëria gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026. Të dhënat e përpunuara nga raportet mujore të INSTAT-it dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se diferenca mes dy vendeve arrin në afro 37 mijë vizitorë.

Nga janari deri në maj, rreth 88.7 mijë vizitorë nga Kosova u akomoduan në hotele, bujtina dhe struktura të tjera turistike në Shqipëri. Në drejtimin e kundërt, strukturat akomoduese në Kosovë regjistruan rreth 51.9 mijë vizitorë nga Shqipëria.

Fluksi i vizitorëve nga Kosova drejt Shqipërisë ka ardhur në rritje gjatë gjithë periudhës. Në janar u regjistruan rreth 11.2 mijë vizitorë, në shkurt 12.3 mijë dhe në mars 13 mijë. Rritja u përshpejtua në prill, me rreth 22 mijë vizitorë, ndërsa kulmi u arrit në maj, me mbi 30.2 mijë.

Vetëm gjatë majit, Kosova përbënte rreth 11% të të gjithë vizitorëve jorezidentë që u akomoduan në Shqipëri, duke u renditur pas Italisë dhe përpara Gjermanisë. Në total, strukturat akomoduese shqiptare pritën 274,967 vizitorë jorezidentë gjatë këtij muaji.

Një ecuri e ndryshme vihet re për vizitorët nga Shqipëria në Kosovë. Numri më i lartë u regjistrua në janar, me rreth 17.4 mijë vizitorë, ndërsa në shkurt ra në 10.8 mijë. Niveli më i ulët u shënua në mars, me afro 7.5 mijë vizitorë, për t’u rritur lehtë në prill dhe për të zbritur sërish në rreth 7.9 mijë gjatë majit.

Shifrat tregojnë se, të paktën në strukturat e regjistruara akomoduese, Shqipëria mbetet një destinacion më i frekuentuar nga shqiptarët e Kosovës sesa Kosova nga vizitorët e Shqipërisë. Afërsia gjeografike, bregdeti dhe rritja e udhëtimeve në prag të sezonit veror duket se kanë ndikuar në zgjerimin e diferencës, veçanërisht gjatë prillit dhe majit.

Theksojmë se të dhënat për vizitorët nga Kosova në Shqipëri janë përllogaritur mbi bazën e numrit të përgjithshëm të vizitorëve jorezidentë dhe peshës që zënë vizitorët nga Kosova në secilin muaj. Për këtë arsye, shifrat janë të përafërta, pasi përqindjet e publikuara nga INSTAT-i janë të rrumbullakosura.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat