Frigoriferë natyralë për të ruajtur mollët – Fermerët në Itali shfrytëzojnë shpella ftohtëse nëntokësore
Kultivuesit e mollëve në veri të Italisë po përdorin ftohës natyral të krijuar nën një kodër, për të ruajtur produket e tyre në një temperaturë të kontrolluar e cila mbetet e pandryshueshme në të gjitha sezonet.
Treqind metra poshtë pemishteve të tyre në Predaia, një qytezë e vogël në rajonin e Trentinos, grupi Melinda ka krijuar 34 zona ftohëse në shpella të gjera, ku ata janë në gjendje të magazinojnë deri në 13% të prodhimit të tyre duke reduktuar koston e energjisë.
Brenda zonave frigoriferike të shpellave, mollët ruhen në kuti plastike të grumbulluara dhe lëvizen nga punëtorët të pajisur me helmeta sigurie. Menaxheri i pemishtes nëntokësore shprehet se deri tani kanë pasur shumë avantazhe, fillimisht për sa i përket kursimit të energjisë duke konsumuar aktualisht 32% më pak. Këto shpella mbajnë deri në 30 mijë ton mollë dhe në të ardhmen pritet që të magazinohen 40 mijë ton.
Dhomat e mëdha ftohëse mbi tokë përdorin një “panel sanduic” të izoluar dhe fletë metalike për të mbajtur të ftohtë pjesën brenda.
Në shpellat nëntokësore janë shkëmbinjtë të cilët luajnë rolin e “panelit sanduic”, duke e bërë procesin sa më të natyrshëm që është e mundur.
Përpara se të përdoren shpellat, shkëmbinjtë ftohen me një lloj gazi në një thellësi prej 5 – 7 metrash, duke bërë që më pas ata të ruajnë një temperaturë konstante prej 1 gradë celsius.
Me përfundimin e sezonit të verës, vjelja ka filluar dhe fermerët po punojnë për të mbledhur mollët nga pemët, në një proces që pritet të vazhdojë edhe 40 ditë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.