Greqi, rritja ekonomike mbi 5% – Një nga faktorët kryesor është sezoni i suksesshëm turistik
Analistët e agjencive të vlerësimit dhe ekonomistët grekë parashikojnë rritje të ekonomisë mbi 5% këtë vit, pas të dhënave të forta të tremujorit të dytë, ndërsa presin që rritja nominale e PBB-së të sjellë raportin e borxhit grek nën 170%.
Ata theksojnë se edhe pse ekonomia do të nxitet ndjeshëm nga turizmi, normat e larta të dy tremujorëve të parë do të jenë të vështira për t’u ruajtur për shkak të thellimit të krizës energjetike, dhe ekonomia pritet të ngadalësohet ndjeshëm në tremujorin e katërt dhe në vitin 2023.
Sipas të dhënave zyrtare ekonomia shënoi rritje vjetore prej 7.7% në tremujorin e dytë, ndërsa rritja e tremujorit të parë u rishikua në rritje, nga 7% në 8% me bazë vjetore. Nisur nga kjo, norma e rritjes për gjashtëmujorin e parë të 2022 është vendosur në 7.8% në vit, ndërsa për të gjithë vitin pritet të lëvizë shumë më lart se 3.1% sa ishte parashikuar nga qeveria.
Ministria greke e financave vuri në dukje se ecuria e regjistruar nga ekonomia greke në gjysmën e parë të 2022-shit, e kombinuar me kursin rekord të investimeve dhe eksporteve gjatë së njëjtës periudhë, sugjerojnë se rritja e PBB-së këtë vit do të jetë mbi vlerësimet fillestare.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.