Hiqen kritere penalizuese për bursat në arsimin profesional – Projektvendimi/ Nxënësit do të përfitojnë edhe kur prindërit kanë biznes
Qeveria shqiptare do të heqë kriteret penalizuese për dhënien e bursave për nxënësit e arsimit profesional. Së shpejti pritet të ketë ndryshime në vendimin “nr. 666, datë 10.10.2019, “Për kuotat financiare të ushqimit në mensa e konvikte dhe përcaktimin e kritereve për përfitimin e bursave e të pagesave për nxënësit e arsimit parauniversitar në institucionet arsimore publike. Kështu, ndryshimet parashikojnë “dhënien e bursës së plotë ose të pjesshme për nxënësit e arsimit të mesëm profesional të cilët përmbushin kriterin e rezultateve të arritura, kriterin joekonomik, kriterin e degëve parësore të zhvillimit ekonomik të vendit dhe vendbanimit të përhershëm, pavarësisht nëse familjet e tyre ushtrojnë apo jo veprimtari private.
Sipas vendimit i cili aktualisht është në fuqi, nxënësit që plotësojnë të gjitha kriteret e mësipërme, humbasin të drejtën e përfitimit të bursës, nëse janë ndarë nga trungu familjar; familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private; deklarohen mbetës ose përsëritës dhe humbasin vitin shkollor për arsye të rezultateve jo kaluese”.
Në projektvendimin që po hartohet synohet të hiqet kriteri penalizues që lidhet me faktin nëse familjet e tyre ushtrojnë apo jo veprimtari private.
Masa e bursës së plotë që përfitojnë nxënësit e arsimit profesional arrin në rreth 7 mijë lekë në muaj, ndërsa bursa e pjesshme në rreth 3500 lekë.
Ky projektvendim është në përputhje të plotë me programin politik të Këshillit të Ministrave, ku një ndër prioritet e qeverisë për vitin 2022-2024 është rritja e aksesit të fëmijëve në arsimin parashkollor, ndjekja e arsimit bazë dhe të mesëm si dhe përfshirja me përparësi e grupeve vulnerabël.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.