Kina pezullon shitjet e gazit – Synon të sigurojë furnizimet për konsumatorët brenda vendit
Qeveria kineze u ka kërkuar ndërmarrjeve që importojnë gaz natyror të ndalojnë rishitjen për blerësit në Europë dhe Azi, ndërsa kërkon të sigurojë furnizime përpara sezonit të dimrit. Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës i Kinës i ka kërkuar PetroChina Co, Sinopec dhe Cnooc Ltd të mbajnë ngarkesat e dimrit për përdorim të brendshëm.
Lajmi vjen pasi importuesit kinezë të gazit të lëngshëm përpiqen të qëndrojnë jashtë tregut të dërgesave në vend këtë dimër, me kërkesën që ka rënë në nivelin më të ulët që nga viti 2002, që do të thotë se importuesi më i madh në botë I gazit ka të ngjarë të shmangë konkurrencën me Europën e goditur nga kriza për furnizime.
Autoritetet kineze njoftuan se vendi do të rrisë shumë kapacitetin e tij për të furnizuar produkte energjetike dhe mallra bazë, duke përsëritur një politikë të stabilizimit të çmimeve të mallrave dhe sigurimit të furnizimeve.
Ndërkohë, në Europë, Komisioni ka propozuar një çmim tavan “dinamik”të gazit natyror në Bashkimin Europian. Agjencia Europiane për Bashkëpunimin e Rregullatorëve të Energjisë (ACER) do të jetë përgjegjëse për përcaktimin e një çmimi tavan për gazin natyror të lëngshëm deri më 23 mars 2023.
Siç thuhet në draft, këto masa nuk duhet të ndikojnë në sigurinë e furnizimit, as të çojnë në rritje të konsumit të gazit dhe të ndikojnë në funksionimin e tregut të energjisë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.