“Korrupsioni mbetet shqetësim serioz” – Progres Raporti i Komisionit Europian, ku qëndron Shqipëria?!
Dokumenti i Komisionit Europian për progresin e Shqipërisë nxjerr në pah edhe një herë vijimin në të njëjtin nivel të korrupsionit. Ky dokument, një radiografi e gjendjes së vendit në raport me kriteret që duhet të përmbushë në procesin e tij të integrimit tregon arritjet por dhe fushat që nuk kanë përmirësim në vendin tonë.
Sa i takon luftës kundër korrupsionit Shqipëria, sipas Komisionit pavarësisht disa përparimeve, korrupsioni mbetet shqetësim serioz. Rritja e numrit të dënimeve përfundimtare të zyrtarëve të nivelit të lartë mbetet një prioritet i rëndësishëm për të trajtuar më tej kulturën e pandëshkueshmërisë.
Sic edhe FMN e kundërshtoi, kundër miratimit të aministisë fiskale është dhe Komisioni Europian. Shqipëria paralajmërohet në raport se është “në listën gri” sa i takon luftës kundër financimit të terrorizmit dhe kundër pastrimit të parave, e për këtë arsye “duhet të zbatojë elementët e mbetur të planit të veprimit të Task Forcës së Veprimit Financiar. Miratimi i një amnistie tatimore dhe penale kundër këshillave të BE-së dhe Moneyval-it, mund të rrezikojë përparimin në këtë fushë”.
Çështja e pasaportave të arta tërheq vëmendje teksa Komisioni e cilëson si një pengesë për Shqipërinë për integrimin në Bashkimin Europian.
“Shqipëria duhet të heqë dorë nga zhvillimi i një skeme të nënshtetësisë së investitorëve (pasaporta të arta) pasi do të paraqiste rreziqe, sa i përket sigurisë, pastrimit të parave, evazionit fiskal, financimit të terrorizmit, korrupsionit dhe infiltrimit të krimit të organizuar dhe do të ishte i papajtueshëm me normat e BE-së”, thuhet në raport.
Kritikat vijojnë edhe për lirinë e shtypit në vend e cila ende pengohet. Ndërkohë përmirësime sipas raportit, Shqipëria ka bërë në sistemin gjyqësor, luftën kundër krimit të organizuar, politikën e saj të jashtme të linjëzuar me atë të Bashkimit Europian.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.