Kroacia hyn në eurozonë – Vendi do të ketë euron si valutë të tij nga 1 janari 2023
Kroacia është gati të bashkohet me zonën euro. Është ky përfundimi i arritur nga Banka qendrore europiane dhe komisioni europian, duke dhënë dritën e gjelbër për vendin ballkanik që të përdorë monedhën euro si valutën e saj që nga fillimi i vitit 2023, duke u bërë shteti i 20-të europian që ka këtë si valutë.
Sipas bankës qendrore europiane Kroacia përmbush të gjitha kriteret për të pasur euron si valutë, duke filluar që nga 1 janari 2023. Kjo konsiderohet si një arritje e madhe duke pasur parasysh pasojat e pandemisë së Kovid dhe të luftës në Ukrainë.
Kancelari gjerman Olaf Sholz e mirëpriti këtë vendim dhe uroi kryeministrin kroat Andrej Plenkovic gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Berlin.
Sholz u shpreh se kjo ishte një çështje të cilën ai e kishte shumë për zemër, dhe ishte i shqetësuar që nga koha kur ishte ministër finance dhe ishte në kontakte të shpeshta me Plenkovic.
Në momentin që vendimi i komisionit miratohet nga liderët e Bashkimit Europian në muajin qershor, ministrat e financave të BE-së do të vendosin në muajin korrik kursin e këmbimit me të cilin monedha e Kroacisë, kuna, do të konvertohet në euro më 1 janar 2023.
Kroacia do të ketë më pas gjashtë muaj kohë për përgatitjet praktike për ndryshimin e monedhës.
Për të pasur euron si monedhë të sajën, Kroacia, një anëtare e BE-së që nga viti 2013, duhej të përmbushte kriteret e stabilitetit të çmimeve dhe kursit të këmbimit, deficitit buxhetor dhe borxhit publik por dhe normave afatgjata të interesit, të gjitha të matura me standardet e BE-së.
Komisioni shqyrtoi gjithashtu integrimin e tij ekonomik dhe konvergjencën me pjesën tjetër të zonës së euros, duke përfshirë tendencat e bilancit të pagesave dhe integrimin e produkteve të Kroacisë, të punës dhe tregjeve financiare dhe verifikoi që ligjet e saj për bankën qendrore të jenë në përputhje me ligjet e zonës së euros në Bankën qendrore europiane.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.