Kryeministrja islandeze i bashkohet grevës së grave – Kërkohet barazia e pagave. “Mjaft diskriminimit gjinor”!
Gratë islandeze hynë në një grevë 24-orëshe për pabarazinë gjinore, duke përfshirë kryeministren Katrin Jakobsdottir, e cila tha se lufta për trajtim të barabartë po lëvizte shumë ngadalë brenda dhe jashtë vendit.
Në të gjithë vendin e vogël ishullor, shkollat dhe bibliotekat ose u mbyllën ose funksionuan me orë të kufizuara, pasi femrat e punësuara qëndruan në shtëpi. Në të njëjtën kohë, spitalet thanë se do të trajtonin vetëm rastet e urgjencës dhe mijëra morën pjesë në një tubim në kryeqytet.
Greva u organizua për të protestuar kundër pabarazive në paga në krahasim me burrat, kundër dhunës me bazë gjinore dhe për të theksuar punën e papaguar siç është kujdesi për fëmijët që më së shpeshti bie mbi gratë.
Islanda konsiderohet si një nga vendet më progresive në botë për sa i përket barazisë gjinore dhe ka kryesuar indeksin e hendekut gjinor të Forumit Ekonomik Botëror 14 vjet me radhë. Por në disa industri dhe profesione, gratë fitojnë të paktën 20% më pak se burrat islandezë, sipas Statistikave të Islandës. 40% e grave islandeze përjetojnë dhunë me bazë gjinore dhe seksuale gjatë jetës së tyre, sipas një studimi të Universitetit të Islandës.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.