Kursim energjie edhe në Greqi – Publikohen masat për uljen e konsumit me 10% deri në fund të vitit
Qeveria greke ka publikuar të mërkurën masat e reja që do të ndërmerren për kursimin e energjisë. Gjatë një konference për mediat së bashku me ministrin e Brendshëm dhe zv/ministrin e Financave, Kostas Skrekas, ministër I Mjedisit dhe Energjetikës, u shpreh se nëpërmjet zbatimit të këtyre masave synohet ulja e konsumit me 10% me objektiv final uljen e konsumit vjetor në sektorin publik me 30% deri në vitin 2030.
Aktualisht, është në ndërtim e sipër një sistem dixhital për monitorimin e konsumit në sektorin publik përmes një platforme elektronike që tashmë po funksionon, si dhe pritet të aplikohen stimuj për ata që kursejnë energjinë dhe nga ana tjetër penalitete për shpërdoruesit.
Skrekas shtoi se institucionet publike duhet të caktojnë menjëherë një menaxher energjetik për kontrollin dhe monitorimin e energjisë në ndërtesat publike dhe komunale. “Kur punonjësit largohen nga vendi i punës duhet të kenë kujdes që të fikin kompjuterët dhe dritat. Rekomandohet ajrimi natyral i objektit gjatë natës në periudhën me mot të ngrohtë”, shtoi ai. Temperatura e ajrit të kondicionuar në zyrat e sektorit publik më gjerë duhet mbahet në 27°C gjatë verës dhe 19°C gjatë dimrit.
Lidhur me ndriçimin e rrugëve të qyteteve, ministri theksoi se propozohet optimizimi i orarit dhe funksionimi i kufizuar i ndriçimit dekorativ që mund të ulë konsumin e energjisë me 35-50%.
Më 12 shtator fillon funksionimi i platformës së programit “Electra”, buxheti i së cilës shkon në 640 milionë euro dhe synon përmirësimin energjetik për sektorin publik dhe më gjerë.
Për sa kohë që një institucion nuk zbaton ligjin e Kursimit të Energjisë, kërkesat për mbështetje financiare për të mbuluar kostot shtesë të energjisë nuk do të vlerësohen. Për bashkitë, kursimi i energjisë me 10% është një objektiv i detyrueshëm, veçanërisht për ndriçimin e rrugëve. Aty ku objektivi nuk arrihet, shteti nuk do të mbështesë financiarisht për faturat e energjisë në gjysmën e dytë të vitit. Për të gjitha shërbimet publike për të cilat ofrohet bonus, do të shtohet objektivi për të kursyer konsumin e energjisë elektrike me 10% në tremujorin e fundit të vitit. Ndërkohë, ato shërbime që arrijnë 15% kursime në konsumin e energjisë, pra 5% mbi objektivin, do të përfitojnë 5% shtesë në buxhetin e tyre vitin e ardhshëm.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.