Bota Postuar më 13 Korrik 2026, 10:43

BE blen sasi rekord gazi nga Rusia në 2026 - Europa merr të gjithë prodhimin e impiantit “Yamal” në Arktik

Nga Lidion Kulla

BE blen sasi rekord gazi nga Rusia në 2026 - Europa merr të

Europa ka importuar më shumë së kurrë më parë gaz të lëngshëm natyror nga Rusia, në gjysmën e parë të këtij viti, duke përthithur pothuajse të gjithë prodhimin e impiantit siberian, disa muaj përpara se të hynin në fuqi sanksione të reja ndaj importeve të gazit rus. Blerjet e Bashkimit Europian nga kompania Yamal LNG, që kontrollohet nga Novatek, një kompani private ruse, arritën në një rekord prej 9.89 milionë tonë, në gjashtë muajt e parë të vitit, 18% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave të kompanisë analitike, Kpler.

Shifrat nënvizojnë rolin vendimtar që Europa ende luan në mbajtjen në funksion të objektit kryesor të energjisë të Rusisë, ndërsa lufta e Moskës kundër Ukrainës ka hyrë në vitin e saj të pestë.  Europa mund të ketë paguar deri në 6 miliardë euro për këto dërgesa. Blerësit kryesorë ishin Franca, Belgjika dhe Spanja, të cilat importuan përkatësisht 3.6 milionë, 2.9 milionë dhe 2.7 milionë ton nga kompania Yamal, tregojnë të dhënat e Kpler.

Rregullat e reja të BE-së tashmë ndalojnë blerjet e gazit të lëngshëm natyror nga Rusia, me kontrata afatshkurtra, që do të thotë se çdo ngarkesë e Yamal e destinuar për në Europë, kërkon konfirmim nga autoriteti doganor i vendit importues, se shitja është bërë sipas një kontrate afatgjatë. Ndërkohë, nga 1 janari 2027, hyn në fuqi një ndalim tjetër i BE-së për importet afatgjata të gazit të lëngshëm natyror rus. Kjo do ta detyrojë Rusinë të kërkojë rrugë alternative. Edhe gazi i transportuar nëpërmjet gazsjellësve do të ndalohet më vonë gjatë 2027-ës.

Gatishmëria e Europës për të blerë gaz nga Yamal, ka qenë thelbësore për projektin, i cili ndodhet në Arktikun rus dhe varet nga një flotë e vogël anijesh cisternë të specializuara për të çarë akullin.

Ndërsa Europa bleu më shumë gaz të lëngshëm natyror nga Yamal, në gjysmën e parë të vitit, vëllimet me destinacion Azinë ranë me 74% në rreth 510 mijë ton. Dërgesat nga Yamal në Azi zakonisht rriten gjatë verës, por gjithmonë e më shumë drejt lindjes po shkojnë më pak ngarkesa. Kjo pjesërisht për shkak se disa kompani ndërkombëtare transporti, firma sigurimesh dhe financues janë të shqetësuar për ekspozimin ndaj sanksioneve të BE-së.

E inauguruar nga presidenti Vladimir Putin në vitin 2017, kompania Yamal mbetet prodhuesi më i madh i gazit të lëngshëm në Rusi, me një kapacitet të projektuar prej 17.4 milionë tonë në vit, megjithëse prodhimi aktual shpesh e tejkalon atë nivel. Përveç Novatek, që zotëron shumicën e aksioneve, edhe TotalEnergies e Francës dhe CNPC e Kinës kanë aksione në këtë kompani.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat