Shqipëria Postuar më 24 Korrik 2026, 16:47

Borxhi publik zbret në 49% të PBB-së në 3-mujorin e dytë të 2026-ës/ Malaj: Përmirësim i qëndrueshëm i gjithë treguesve kryesorë makrofiskalë

Nga Alida Lula


Niveli i borxhit publik të Shqipërisë ka zbritur në 49% të PBB-së në fund të tremujorit të dytë të vitit 2026. Të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave, tregojnë se raporti i borxhit publik ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto nga niveli 73.9% në vitin 2021, borxhi ka zbritur në 64.1% në vitin 2022, në 57.6% në vitin 2023, në 54.2% në vitin 2024 dhe në 52.9% në vitin 2025. Në fund të tremujorit të dytë të vitit 2026, raporti i borxhit publik ndaj PBB-së rezulton 49%, ndërsa parashikimi për fundin e vitit është 52.8%, duke shënuar një ulje të qëndrueshme prej 21.1 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2021.
TRENDI RËNËS I RAPORTIT BORXH/PBB (2021 - 2026)
Viti 2021: 73.9%
Viti 2022: 64.1%
Viti 2023: 57.6%
Viti 2024: 54.2%
Viti 2025: 52.9%
Qershor 2026: 49.0% (Parashikimi për fundvitin 2026: 52.8%)

Ky përmirësim sipas Ministrisë së Financave, reflekton konsolidim të fortë fiskal dhe një menaxhim më efikas të risqeve financiare gjatë viteve të fundit. Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se rezultatet e arritura janë pasojë e një politike fiskale të përgjegjshme dhe e një menaxhimi aktiv të portofolit të borxhit, me ndikim të drejtpërdrejtë në forcimin e stabilitetit makrofiskal të vendit. Sipas Malaj, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit është ulur pesha e borxhit afatshkurtër, duke reduktuar nevojat për rifinancim në periudha të shkurtra. Po ashtu, është rritur jetëgjatësia mesatare e borxhit të brendshëm, çka kontribuon në shpërndarjen më të mirë të detyrimeve financiare në kohë dhe zvogëlon ekspozimin ndaj luhatjeve të tregut.
Një tjetër tregues i përmirësuar, sipas ministrit, është reduktimi i peshës së borxhit që maturohet brenda një viti, element që forcon më tej qëndrueshmërinë e financave publike dhe ul rrezikun e rifinancimit.
Një tjetër tregues i rëndësishëm është zgjatja e kohës mesatare të maturimit të borxhit. Sipas Ministrisë së Financave, maturimi mesatar është rritur nga 2.2 vite në vitin 2021 në 3.3 vite në qershor 2026, ose 1.1 vite më shumë. Kjo nënkupton më pak nevojë për rifinancim afatshkurtër dhe një profil më të qëndrueshëm të detyrimeve të shtetit.
Gjithashtu, theksohet se borxhi në valutë të huaj, vijon të mbetet nën kufijtë e përcaktuar në Strategjinë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat