Shqipëria Postuar më 12 Qershor 2026, 14:03

Dogana Shqiptare në konferencën e Athinës - Integrimi ekonomik kalon përmes bashkëpunimit doganor

Nga Edel Strazimiri

Dogana Shqiptare në konferencën e Athinës - Integrimi ekonomik

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, mori pjesë në Konferencën e Tretë të Drejtorëve të Përgjithshëm të Doganave të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, e zhvilluar në Athinë, ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit doganor dhe avancimi i integrimit ekonomik rajonal me Tregun e Vetëm Evropian.

Konferenca me temë “Lidhja e Tregjeve, Harmonizimi i Standardeve: Korsitë e Gjelbra si shtyllë e integrimit të përforcuar në Tregun e Vetëm të BE-së”, mblodhi drejtues të administratave doganore të vendeve të CEFTA-s dhe shteteve anëtare të BE-së, përfaqësues të Komisionit Evropian, komunitetit të biznesit dhe organizatave ndërkombëtare.

Gjatë panelit kushtuar rolit strategjik të administratave doganore në procesin e integrimit evropian, Beja prezantoi përvojën e Shqipërisë në modernizimin e procedurave doganore, lehtësimin e tregtisë dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.

Ai theksoi se bashkëpunimi doganor nuk është më vetëm një instrument për lehtësimin e shkëmbimeve tregtare, por një mekanizëm i rëndësishëm për integrimin ekonomik dhe afrimin e vendeve të rajonit me standardet e Bashkimit Evropian.

Sipas Bejës, modernizimi i proceseve doganore, shkëmbimi i informacionit dhe koordinimi ndërmjet administratave mbeten elementë thelbësorë për krijimin e një tregtie më të shpejtë, më të sigurt dhe më të parashikueshme.

Në diskutime, një vëmendje e veçantë iu kushtua zgjerimit të konceptit të Korsive të Gjelbra, forcimit të ndërveprueshmërisë së sistemeve doganore dhe zhvillimit të mjeteve digjitale që synojnë përshpejtimin e procedurave kufitare dhe reduktimin e barrierave tregtare.

Beja vlerësoi nismën e Korsive të Gjelbra si një hap konkret drejt integrimit gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Tregun e Vetëm Evropian, duke lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe duke rritur efikasitetin e shkëmbimeve tregtare.

Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu mbi menaxhimin e koordinuar të riskut, programet e Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar (AEO), si dhe përafrimin me reformën e re të Kodit Doganor të Unionit Evropian.

Një rol të rëndësishëm në këto procese pritet të luajë edhe platforma SEED+, e cila mundëson shkëmbimin elektronik të të dhënave ndërmjet administratave doganore, duke rritur transparencën dhe duke përmirësuar bashkëpunimin rajonal.

Në përfundim të konferencës, pjesëmarrësit riafirmuan angazhimin për të avancuar digjitalizimin, ndërveprueshmërinë e sistemeve doganore dhe zbatimin e mëtejshëm të Korsive të Gjelbra dhe Blu, si instrumente që mbështesin integrimin ekonomik dhe afrimin me Bashkimin Evropian.

Konferenca e Athinës pasoi edicionin e dytë të zhvilluar në Tiranë në qershor 2025, ku drejtuesit e administratave doganore të rajonit dhe BE-së diskutuan prioritetet e përbashkëta në fushën doganore dhe procesin e integrimit evropian.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat