Shqipëria Postuar më 6 Maj 2026, 17:22

“Konflikti në Lindjen e Mesme, efekte kalimtare në ekonomi”, Sejko: Kujdes për pasiguritë e së ardhmes

Nga SCAN TV

“Konflikti në Lindjen e Mesme, efekte kalimtare në

Banka e Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, duke konfirmuar një qëndrim të kujdesshëm të politikës monetare në kushtet e një ekonomie që vijon të rritet, por që mbetet e ekspozuar ndaj rreziqeve të jashtme. Në konferencën për shtyp mbi vendimmarrjen e politikës monetare, Guvernatori Gent Sejko theksoi se ekonomia shqiptare ka shfaqur një ecuri pozitive në fillim të vitit 2026, e mbështetur nga rritja e aktivitetit ekonomik, punësimit dhe pagave, si dhe nga zgjerimi i kreditimit për sektorin privat. Megjithatë, ai paralajmëroi se zhvillimet ndërkombëtare, veçanërisht tensionet gjeopolitike, mbeten një faktor rreziku për ekonominë globale dhe atë shqiptare, duke kërkuar një qasje të kujdesshme në vendimmarrjen e ardhshme.

“Bazuar në informacionin e disponuar, parashikimet e skenarit bazë sugjerojnë se rritja e çmimeve të naftës dhe të energjisë në tregjet botërore do të shkaktojë një rritje të lehtë dhe të përkohshme të inflacionit mbi objektiv gjatë vitit 2026, si dhe një ngadalësim margjinal të ritmit të rritjes ekonomike në vend. Ky parashikim faktorizon trendet pozitive të zhvillimit të ekonomisë shqiptare, treguesit e përmirësuar të stabilitetit ekonomik e financiar, pritjet për përfundim relativisht të shpejtë të konfliktit në Lindjen e Mesme, si dhe hapësirat e shtuara të reagimit të politikave tona makroekonomike. Bazuar në këto premisa, efektet e goditjes pritet të jenë kalimtare edhe të mos lenë gjurmë afatgjata në trendet e zhvillimit të vendit. Megjithatë, pasiguria për të ardhmen mbetet e lartë dhe balanca e rreziqeve mbi inflacionin është e zhvendosur në kahun e sipërm”, - tha Sejko.

Guvernatori nënvizoi se politika monetare ka kontribuar në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe në krijimin e kushteve të favorshme për kreditim dhe investime, ndërsa tregjet financiare paraqiten të qëndrueshme.

 

Fjala e Guvernatorit të BSH, Gent Sejko

  

Të nderuar përfaqësues të medias,

Sot, në datën 6 maj 2026, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Tremujor të Politikës Monetare.

 

Fokusi i këtij Raporti ishte vlerësimi i ndikimit që ekonomia shqiptare pritet të ketë nga goditja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, si dhe identifikimi i qëndrimit të duhur të politikës monetare.

 

Bazuar në informacionin e disponuar, parashikimet e skenarit bazë sugjerojnë se rritja e çmimeve të naftës dhe të energjisë në tregjet botërore do të shkaktojë një rritje të lehtë dhe të përkohshme të inflacionit mbi objektiv gjatë vitit 2026, si dhe një ngadalësim margjinal të ritmit të rritjes ekonomike në vend. Ky parashikim faktorizon trendet pozitive të zhvillimit të ekonomisë shqiptare, treguesit e përmirësuar të stabilitetit ekonomik e financiar, pritjet për përfundim relativisht të shpejtë të konfliktit në Lindjen e Mesme, si dhe hapësirat e shtuara të reagimit të politikave tona makroekonomike.

 

Bazuar në këto premisa, efektet e goditjes pritet të jenë kalimtare edhe të mos lenë gjurmë afatgjata në trendet e zhvillimit të vendit. Megjithatë, pasiguria për të ardhmen mbetet e lartë dhe balanca e rreziqeve mbi inflacionin është e zhvendosur në kahun e sipërm.

 

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar qëndrimin e politikës monetare, duke mbetur vigjilent ndaj zhvillimeve në tregjet botërore dhe ndikimit të tyre në ekonominë shqiptare.

 

[ Më lejoni t’ju ofroj, në vijim, një pasqyrë më të detajuar të opinionit tonë mbi zhvillimet ekonomike e financiare, si dhe të detajoj vendimin e politikës monetare dhe arsyet që e motivuan atë. ]

 

***

 

Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një nivel mesatar prej 2.5% në tremujorin e parë të vitit 2026, duke regjistruar një rritje të lehtë në krahasim me tremujorin paraardhës. Kjo ecuri u diktua nga rritja e çmimeve të qirave dhe të naftës, si dhe nga stabilizimi në nivel vjetor i çmimit të energjisë elektrike për familjet. Nga ana tjetër, çmimet e ushqimeve dhe të artikujve të tjerë të shportës patën një ecuri më të stabilizuar.

 

Kahu i ecurisë së inflacionit në tremujorin e parë ishte në përputhje me pritjet tona dhe ky tregues vijon të mbetet ende nën objektiv. Megjithatë, rritja e shpejtë e çmimeve të naftës në tregjet botërore në muajin mars dha menjëherë ndikimin e saj në inflacionin e këtij muaji, duke ilustruar fillimin e transmetimit të saj në ekonominë shqiptare.

 

Në aspektin makroekonomik, ecuria e inflacionit gjatë tremujorëve të fundit është diktuar nga rritja e presioneve të brendshme dhe nga nivelet e ulëta të inflacionit të importuar. Megjithatë, duke përjashtuar inflacionin e lartë të qirave, i cili pritet të ketë natyrë kalimtare, presionet e brendshme mbeten në linjë me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve. Nga ana tjetër, nivelet e ulëta të inflacionit të importuar janë diktuar, në një masë të konsiderueshme, nga forcimi i kursit të këmbimit. Megjithatë, rritja e çmimit të naftës dhe përcjellja e tij në artikujt e tjerë, pritet të shoqërohet me rritje të inflacionit të importuar gjatë tremujorëve në vijim.

 

Ekonomia shqiptare po përballet me goditjen e ofertës që buron nga rritja e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare nga një pozicion ekonomik relativisht i konsoliduar.

 

Sipas të dhënave të INSTAT-it, vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend u rrit me 3.8% gjatë tremujorit të katërt të vitit 2025. Zgjerimi i tij u mbështet nga rritja e konsumit familjar, e investimeve të sektorit privat, dhe e eksportit të shërbimeve. Nga ana tjetër, politika fiskale ruajti një natyrë konsoliduese ndërsa eksporti i mallrave shënoi rënie. Në aspektin sektorial, rritja ekonomike u pasqyrua në zgjerim të aktivitetit në sektorët e shërbimeve dhe të ndërtimit, ndërsa sektori i bujqësisë dhe ai i industrisë vijuan të tkurren. Informacioni i disponuar sugjeron për ritme dhe strukturë të ngjashme rritjeje edhe gjatë tremujorit të parë të këtij viti.

 

Rritja e kërkesës për mallra e shërbime është pasqyruar në rritje të punësimit e të pagave në sektorin privat jo-bujqësor, dhe në një normë papunësie në nivelin 8.3%, çka përbën dhe nivelin minimal historik të këtij treguesi në periudhën post-tranzicion. Megjithatë, rritja relativisht e shpejtë e pagave nuk është transmetuar në rritje të çmimeve të konsumit, si pasojë e absorbimit të saj pjesërisht nga rritja e produktivitetit dhe nga rënia e marzhit të fitimit të bizneseve për njësi. Gjithashtu, pritjet për inflacionin në afatin e mesëm vijojnë të mbeten të ankoruara pranë objektivit.

 

Paralelisht me këto zhvillime, borxhi publik dhe ai i huaj kanë ardhur në rënie, bilancet financiare të bizneseve dhe familjeve janë të shëndosha e likuide, sektori bankar paraqitet solid dhe rezistent ndaj goditjeve, ndërkohë që tregjet financiare shfaqen të qeta.

 

Kjo tablo pasqyron, ndër të tjera, edhe kontributin pozitiv të politikës sonë të kujdesshme monetare. Reagimi në kohë dhe konsistent ndaj zhvillimeve në inflacion ka bërë të mundur ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, kontrollin e pritjeve për inflacionin, funksionimin e qetë të tregjeve financiare, frenimin e shpejtësisë së forcimit të kursit të këmbimit, si dhe përmirësimin e kushteve të financimit.

 

Për rrjedhojë, tregjet financiare vijojnë të karakterizohen nga likuiditet i bollshëm, norma të ulëta interesi, si dhe një qasje pozitive ndaj kreditimit.

 

Kushtet e favorshme financiare janë pasqyruar në zgjerimin e shpejtë dhe me bazë të gjerë të kredisë për sektorin privat. Portofoli i kredisë shënoi një rritje vjetore prej 13.7% gjatë tre muajve të parë të vitit, duke vijuar të shfaqë tregues të mirë cilësie, rritje graduale të peshës së kredisë në Lek, dhe orientim drejt financimit të projekteve të investimit të bizneseve dhe blerjes së banesave për familjet. Në këtë mënyrë, rritja e kredisë bankare ka vijuar të mbështesë zgjerimin e konsumit dhe të investimeve të sektorit privat, duke dhënë kështu një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike.

 

Përditësimi i parashikimeve të skenarit bazë është bazuar në supozimin e një zgjidhjeje relativisht të shpejtë të konfliktit. Pozicioni i shëndoshë fillestar i ekonomisë shqiptare sugjeron se goditja e çmimeve do të sjellë një rritje të përkohshme të inflacionit mbi objektiv gjatë tremujorëve në vijim. Megjithatë, kjo rritje pritet të jetë e lehtë dhe kalimtare; me përfundimin e efektit direkt të goditjes dhe kontrollin e efekteve indirekte të saj, inflacioni pritet të zbresë gradualisht drejt objektivit në afatin e mesëm. Po ashtu, ekonomia shqiptare pritet të ruajë ritme pozitive rritjeje gjatë viteve në vijim, të përafërta me vlerësimet tona për potencialin e zgjerimit të aktivitetit ekonomik. Për momentin, rritja e pasigurisë dhe shtrenjtimi i faturës së importit të naftës pritet të kenë një ndikim negativ, por vetëm margjinal dhe kalimtar, në treguesin e rritjes ekonomike të vitit 2026.

 

Megjithatë, konflikti ushtarak dhe tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme mbeten një burim rreziku dhe pasigurie mbi ekonominë botërore dhe atë shqiptare. Ndikimi i tij në ekonomi dhe në inflacion do të varet dukshëm nga kohëzgjatja dhe intensiteti i konfliktit, duke e zhvendosur balancën e rreziqeve në kahun e sipërm për inflacionin dhe në kahun e poshtëm për rritjen ekonomike në afatin e mesëm.

 

***

 

Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

-          të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.5%;

-          të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.5%;

-          të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.5%.

 

Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për momentin. Ky qëndrim mundëson përmbushjen e parashikimeve të skenarit bazë, duke i ofruar ekonomisë shqiptare kushte të përshtatshme monetare për kthimin e inflacionit në objektiv. Gjithashtu, ai adreson pasigurinë mbi ecurinë e ekonomisë dhe të inflacionit në të ardhmen, duke mundësuar më shumë kohë për monitorimin e ecurisë së çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare dhe duke ofruar fleksibilitetin e duhur për një reagim në kohë ndaj zhvillimeve të pafavorshme.

 

Këshilli Mbikëqyrës vëren se reagimi i politikës monetare do të vijojë të orientohet, në çdo rast, drejt respektimit të objektivit të stabilitetit të çmimeve, duke u kujdesur që goditja e ofertës të mos shndërrohet në presione të qëndrueshme dhe afatgjata inflacioniste.

 

Këshilli Mbikëqyrës do të monitorojë me kujdes e në vazhdimësi situatën. Bazuar në të dhënat e reja, ai mbetet i gatshëm të reagojë në kohën, kahun dhe me forcën e duhur, ndaj çdo rreziku material mbi stabilitetin e çmimeve.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat