Shqipëria Postuar më 8 Qershor 2026, 13:23

Lejet mjedisore, detyrime të reja për bizneset - Kërkesa për monitorimin dhe auditimi, kosto shtesë për industrinë dhe shtetin

Nga Ola Mitre

Lejet mjedisore, detyrime të reja për bizneset - Kërkesa për

Ministria e Mjedisit ka nxjerrë për konsultim publik ndryshimet në ligjin “Për lejet e mjedisit”, duke vendosur standarde më të rrepta për kontrollin e ndotjes dhe monitorimin e aktiviteteve industriale.

Sipas relacionit shoqërues, projektligji synon të kalojë nga një model i bazuar kryesisht në kontrollin e ndotjes, drejt një qasjeje parandaluese dhe të integruar, ku operatorët industrialë do të detyrohen të zbatojnë teknikat më të mira të disponueshme, të monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme ndikimin e aktivitetit të tyre dhe të raportojnë periodikisht rezultatet tek autoritetet shtetërore.

Një nga risitë kryesore është detyrimi për krijimin e një Sistemi të Menaxhimit Mjedisor për instalimet që pajisen me leje mjedisore. Ky sistem do të duhet të përfshijë objektiva konkrete për reduktimin e ndotjes, përdorimin më efikas të energjisë dhe burimeve natyrore, si dhe masa për minimizimin e mbetjeve. Për herë të parë, operatorët do të duhet të hartojnë edhe plane transformimi, me objektiva për reduktimin e emetimeve të gazeve serrë deri në vitin 2050, duke përcaktuar investimet dhe burimet financiare të nevojshme për arritjen e tyre.

Ndryshimet pritet të sjellin edhe kosto shtesë për bizneset, veçanërisht për instalimet e kategorisë A dhe B. Relacioni shpjegon se operatorët do të duhet të investojnë në sisteme monitorimi, auditime periodike, raportime mjedisore, përgatitjen e raporteve bazë dhe zbatimin e teknikave më të mira të disponueshme.

Nga ana tjetër, institucionet shtetërore do të duhet të investojnë në përmirësimin e sistemit elektronik të lejeve mjedisore dhe në krijimin e bazës së të dhënave publike.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat