Shqipëria Postuar më 4 Korrik 2026, 10:43

Punësimi janar–maj, dominojnë gratë/ AKPA: Në 5 muaj janë punësuar mbi 8700 persona

Nga Diamila Leka

Punësimi janar–maj, dominojnë gratë/ AKPA:  Në 5 muaj

8748 punëkërkues janë punësuar gjatë periudhës janar–maj 2026, përmes ndërmjetësimit të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive. Sipas statistikave të publikuara nga AKPA, më shumë se gjysma e të punësuarve janë gra dhe vajza. Konkretisht, gjatë pesë muajve të parë të vitit, 5 mijë e 217 gra dhe vajza janë ndërmjetësuar për një vend pune.

Një tjetër kategori me peshë të konsiderueshme janë të rinjtë. Të dhënat tregojnë se 3 mijë e 122 persona deri në moshën 29 vjeç kanë hyrë në tregun e punës gjatë kësaj periudhe. Rezultatet përfshijnë gjithashtu edhe punësimin e personave që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta apo nga kategori që përballen me më shumë vështirësi për t’u integruar në treg.

Sipas AKPA-së, 588 prej të punësuarve janë anëtarë të familjeve që përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike. Ndërkohë, punësim kanë gjetur edhe 407 pjesëtarë të komuniteteve rom dhe egjiptian, si dhe 150 persona me aftësi të kufizuara.

Kategoritë e raportuara mund të mbivendosen me njëra-tjetrën, pasi një person mund t’i përkasë njëkohësisht më shumë se një grupi, për shembull të jetë i ri, përfitues i ndihmës ekonomike apo pjesëtar i një komuniteti vulnerabël.

Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive thekson se synimi mbetet krijimi i mundësive të barabarta për hyrjen në tregun e punës dhe integrimi i qëndrueshëm i punëkërkuesve. Përveç ndërmjetësimit me bizneset, shërbimet e punësimit përfshijnë edhe orientimin drejt formimit profesional dhe rritjes së aftësive, në përputhje me kërkesat e tregut.

Megjithatë, sfida mbetet jo vetëm vendosja e punëkërkuesve në një pozicion pune, por edhe garantimi i punësimit afatgjatë, formal dhe me kushte të përshtatshme, veçanërisht për të rinjtë dhe kategoritë vulnerabël.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat