Shqipëria Postuar më 17 Korrik 2026, 10:32

Qiratë dhe pagat “furnizojnë” buxhetin - 476 milionë euro në 6 muaj, u arkëtuan 63 milionë euro mbi planin

Nga Elisabeta Dosku

Qiratë dhe pagat “furnizojnë” buxhetin - 476 milionë

Gjysma e parë e vitit është mbyllur me ecuri teje pozitive për financat publike pothuajse në të gjithë zërat e të të ardhurave. Ndërkohë që taksimi i punës, është një ndër zërat me peshën më të rëndësishme dhe me rritje të ndjeshme në raport me nj vit më parë, duke reflektuar ndryshime të dukshme në treg, në nivelin e pagave dhe zgjerimin e aktivitetit ekonomik në vend.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, qytetarët shqiptarë kanë kontribuar me rreth 47.6 miliardë lekë ose afërsisht 476 milionë euro, në buxhetin e shtetit nga pagat dhe të ardhurat e tjera, përfshirë ato nga qiratë afatgjata dhe platformat e akomodimit si “Airbnb” dhe “Booking”.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat nga ky zë janë rritur me 6.8 miliardë lekë ose 16.6% më shumë se gjashtëmujori i vitit 2025, si dhe 6.3 miliardë lekë ose 15.4% më shumë se plani për gjashtëmujorin 2026.

Sipas administratës tatimore, kjo rritje lidhet ngushtë me përmirësimin e formalizimit në ekonomi dhe rritjen e deklarimit të të ardhurave. Fushatat kundër informalitetit, veçanërisht ato që synuan nën-deklarimin e pagave gjatë vitit 2025, duket se kanë ndikuar në ndryshimin e sjelljes së bizneseve.

Po ashtu, vendosja e pagave referencë në sektorë me nivel të lartë informaliteti, si turizmi, ndërtimi dhe shëndetësia, ka sjellë rritje të pagave të deklaruara dhe, për rrjedhojë, edhe të detyrimeve tatimore. Ndikim kanë pasur edhe rritjet e pagave në administratën publike gjatë dy viteve të fundit, si dhe rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë.

Një tjetër faktor që ka kontribuar është zgjerimi i tregut të qirave, sidomos atyre afatshkurtra të lidhura me zhvillimin e turizmit. Shtimi i pronave të listuara në platformat online ka rritur të ardhurat e individëve dhe njëkohësisht edhe nivelin e tatimit të paguar.  Gjatë këtij viti administrata tatimore identifikoi të gjithë tatimpaguesit e listuar në AirBnB të cilëve u dërgoi dhe një shkresë ku u kërkonte që të deklaronin të ardhurat e tyre. Tatimi që duhet të bëjnë individët mbi këto të ardhura është 15 për qind dhe po aq aplikohet mbi qiratë afatgjatë.Në totalin e arkëtimeve nga TAP përfshihen edhe të ardhurat nga interesat bankare.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat