Shqipëria Postuar më 17 Korrik 2026, 11:32

Si arriti Shqipëria të mbyllte negociatat për 3 kapituj me BE? - Kërkohet që vendi të rrisë shpenzimet publike për arsimin, kërkimin dhe shkencën

Nga Ledina Elezi

Si arriti Shqipëria të mbyllte negociatat për 3 kapituj me BE? -

Para pak ditësh, Shqipëria do të shënonte mbylljen e negociatave për 3 kapituj të trupës së legjislacionit evropian, kërkimin dhe shkencën, arsimin dhe kulturën, si dhe marrëdhëniet me jashtë. Që prej hapjes së negociatave, këto 3 kapituj janë konsideruar më të thjeshtit për t'u mbyllur, për shkak të volumit më të ulët të legjislacionit për përafrim. Por vendi ka ende rrugë të gjatë deri në anëtarësimin në Bashkimin Evropian, sepse duhet të mbyllë edhe 30 kapituj të tjerë.

Si arriti konkretisht Shqipëria të mbyllte 3 kapitujt e parë dhe a duhet të përmbushë akoma detyra në këto fusha?

BE-ja vlerëson pozitivisht rritjen e investimeve në kërkim dhe shkencë, por e nxit Shqipërinë të ndërmarrë hapa të mëtejshëm për të përmbushur objektivin që 1% e PBB-së së vendit të shpenzohet për kërkimin dhe shkencën deri në vitin 2030. BE-ja bën thirrje të sigurohet ekzekutimi aktual i buxhetit të fondeve të alokuara për kërkim. Gjithashtu, Unioni fton më tej Shqipërinë të shtojë përpjekjet për krijimin e strukturave të nevojshme për të rritur bashkëpunimin midis sektorit privat dhe publik, si dhe të vazhdojë të raportojë statistika të besueshme në këtë fushë.

Për sa i përket arsimit, Bashkimi Evropian pret që buxheti për arsimin të ndahet në përputhje me objektivat dhe ambiciet që Shqipëria ka. Prandaj, BE-ja i bën thirrje Shqipërisë të rrisë shpenzimet publike për arsimin, që të arrijë shpenzimet mesatare të BE-së në këtë fushë.

Vendi duhet të zhvillojë mundësi për trajnimin e të rriturve, me qëllim që të paktën 60% e të rriturve (të moshës 25-64 vjeç) të marrin pjesë në trajnime çdo vit deri në vitin 2030, duke u përputhur me objektivin e BE. Bashkimi Evropian fton më tej Shqipërinë të përforcojë skemat e praktikës.

Lidhur me politikën e jashtme, BE nënvizon se është përgjegjësi e Shqipërisë të sigurojë që, pas anëtarësimit, të gjitha marrëveshjet e saj ndërkombëtare, dhe në veçanti të gjitha marrëveshjet tregtare ose traktatet dypalëshe të investimeve midis Shqipërisë dhe vendeve të treta, të jenë në përputhje me trupën e legjislacionit evropian.

BE-ja kujton se Shqipëria do të duhet të përfundojë deri në datën e anëtarësimit të gjitha marrëveshjet ekzistuese dypalëshe me vendet e treta, dhe të gjitha marrëveshjet e tjera ndërkombëtare të lidhura nga Shqipëria të cilat janë të papajtueshme me detyrimet e anëtarësimit në BE.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat