Shqipëria Postuar më 17 Korrik 2026, 10:36

OSSH, investim mbi 144 mln lekë në Elbasan - Shpallen dy procedura prokurimi për përmirësimin e rrjetit elektrik

Nga Ernilda Luzi

OSSH, investim mbi 144 mln lekë në Elbasan - Shpallen dy procedura

Drejtoria Rajonale e OSSH Elbasan ka shpallur dy procedura prokurimi, të cilat synojnë përmirësimin e rrjetit elektrik në qytetin e Elbasanit dhe në zonën e Prrenjasit.

Tenderi i parë ka të bëjë me ndërhyrjet për përmirësimin e furnizimit me energji elektrike dhe garantimin e një shërbimi më të qëndrueshëm, veçanërisht në zonat turistike të qytetit të Elbasanit. Fondi limit i kësaj procedure është 44 milionë e 592 mijë lekë.

Sipas dokumentit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, punimet do të realizohen me materiale që duhet të plotësojnë standarde të larta cilësie dhe sigurie. Qëllimi është që rrjeti elektrik të funksionojë pa probleme edhe në kushte të vështira atmosferike apo në raste ngarkesash të larta, duke shmangur defektet dhe ndërprerjet e energjisë.

Në dokumentacion parashikohet gjithashtu përdorimi i pajisjeve dhe materialeve moderne, të cilat do të jenë të qëndrueshme, të sigurta dhe të përshtatshme për funksionimin afatgjatë të rrjetit elektrik.

Ndërkohë, Drejtoria Rajonale e OSSH Elbasan ka hapur edhe një tjetër tender me fond limit prej 99 milionë e 451 mijë lekësh. Ky projekt parashikon rikonstruksionin e rrjetit elektrik dhe të kabinave në rrethinat e Prrenjasit, me synimin për të përmirësuar cilësinë e furnizimit me energji për banorët e kësaj zone.

Edhe në këtë procedurë kërkohet që të gjitha materialet e përdorura të jenë të certifikuara, të sigurta dhe të afta, për të përballuar kushte të ndryshme pune dhe moti. Në dokument theksohet se, investimi synon të rrisë besueshmërinë e rrjetit elektrik, të ulë numrin e defekteve dhe të garantojë një furnizim më të qëndrueshëm me energji elektrike.

Dy projektet pritet të sjellin përmirësime të rëndësishme në infrastrukturën energjetike të qarkut të Elbasanit, duke ndikuar në rritjen e cilësisë së shërbimit për qytetarët dhe bizneset dhe në mbështetjen e zhvillimit turistik.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat