Shqipëria Postuar më 8 Prill 2025, 11:38

Sa preferohen paketat internet, telefoni dhe TV? - AKEP: Shtohen familjet që paguajnë për shërbime të integruara

Nga Ledina Elezi

Sa preferohen paketat internet, telefoni dhe TV? - AKEP: Shtohen familjet

Më shumë shqiptarë po zgjedhin të paguajnë për një paketë të integruar me internet, telefoni dhe televizor. Sipas të dhënave më të fundit nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), gjatë tremujorit të fundit të vitit 2024 ka pasur një rritje të numrit të familjeve që paguajnë tarifë fikse për një paketë që përfshin 2 ose 3 shërbime.

Shifrat e AKEP tregojnë se numri i individëve me akses broadband në internet nga rrjete fikse arriti në rreth 687 mijë në tremujorin e katërt të vitit, e cila përbën një rritje me 3.6% në krahasim me tremujorin e mëparshëm dhe një rritje me rreth 8.6% në krahasim me të njëtën periudhë në vitin 2023.

Aksesi broadband nga rrjetet fikse përfshin aksesin në internet me DSL, modem kabllor, fibër në shtëpi/ndërtesë dhe të tjera, por nuk përfshin aksesin broadband me rrjet celular.

Përdoruesit e rrjetit fiks që kanë akses në shërbime të integruara si telefoni, internet dhe televizor arriti në rreth 300 mijë, një rritje me 1.6% vlerësuar me periudhën tetor-dhjetor 2023.

Numri i pajtimtarëve me paketa trefishe (Telefoni, Internet dhe TV) përbën 23.2% të totalit të pajtimtarëve me paketa të integruara, ndërsa 29.9% janë me paketa “Internet dhe Telefoni” dhe 46.9% me paketa “Internet dhe TV”.

Nga ana tjetër, rreth 165 mijë pajtimtarë përdorën linjën e telefonisë fikse në tremujorin e fundit 2024. Referuar të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, numri i personave që përdorin një telefon fiks në shtëpi ose në biznesin e tyre, ka rënë me 1.1% krahasuar me tremujorin e tretë 2024 dhe me 4.5% në krahasim me tremujorin e fundit të vitit pararendës. 

Në fakt, linja e telefonisë fikse pritet që të ketë gjithnjë e më pak përdorues në vijim, pasi dihet që të rinjtë preferojnë të përdorin më tepër smartphone ose pajisje të tjera me internet për të komunikuar.

 

Live TV

All - General - 2
Të fundit
Të gjitha lajmet
Desktop - General - 7

Më të vizituarat