Shqipëria Postuar më 1 Maj 2026, 11:13

Sa u prekën kreditë nga zhvlerësimi i euros? - BSH: Cilësia e huasë në valutë të pambrojtur nga kursi i këmbimit është përmirësuar

Nga Ledina Elezi

Sa u prekën kreditë nga zhvlerësimi i euros? - BSH: Cilësia

Cilësia e kredisë në valutë të pambrojtur nga luhatjet në kursin e këmbimit erdhi duke u përmirësuar në gjysmën e dytë të vitit të kaluar.

Huamarrja në valutë është pak më e ndjeshme se ajo në lekë, për shkak të rrezikut që sjellin luhatjet në kursin e këmbimit. Kreditë e pambrojtura nga kursi i këmbimit janë ato hua të marra në një monedhë të huaj (zakonisht euro), nga subjekte që nuk kanë të ardhura në të njëjtën monedhë. Kjo do të thotë se në rast të zhvlerësimit të lekut, pagesa e kësteve bëhet më e shtrenjtë, duke rritur barrën financiare për huamarrësit.

Raporti i Stabilitetit Financiar i Bankës së Shqipërisë tregon se në krahasim me fundin e gjashtëmujorit të parë të vitit dhe me një vit më parë, stoku i kredisë së pambrojtur ishte 6% dhe 2% më i ulët në gjysmën e dytë të 2025. Tkurrja e portofolit të kredisë së pambrojtur ka bërë që pesha e saj në raport me kredinë e përgjithshme dhe me kredinë në valutë të bjerë në përkatësisht 9% dhe 21%.

Kjo ecuri e kredisë së pambrojtur tregon një rënie të ekspozimit të sektorit bankar ndaj rrezikut të tërthortë të kursit të këmbimit dhe përfaqëson një zhvillim pozitiv si në drejtim të mbrojtjes së huamarrësve, ashtu edhe në drejtim të qëndrueshmërisë së sektorit bankar.

Pjesa më e madhe e kredisë së pambrojtur në valutë përfaqësohet nga kredia për pasuri të paluajtshme (67%) dhe nga kredia për tregti (14%). Pavarësisht se pjesa më e madhe e kredisë së pambrojtur për pasuri të paluajtshme mbahet nga individët, rritja me 12% e këtij portofoli gjatë periudhës ka ardhur nga rritja e kredisë për investime në pasuri të paluajtshme për bizneset dhe ky zhvillim mund të ketë nevojë për një kujdes të shtuar nga ana e bankave shprehet Banka e Shqipërisë.

Raporti i kredive me probleme për kreditë e pambrojtura nga kursi i këmbimit ishte 3.8% në fund të vitit, duke mos paraqitur shumë ndryshime nga periudha e kaluar.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat