Shqipëria Postuar më 9 Qershor 2026, 12:01

“Shqipëria kryeson rajonin për zbatimin e reformave” - Koçiu: 212 mln euro janë zhbllokuar. Po përdoren në mbështetje buxhetore dhe investime

Nga Ledina Elezi

“Shqipëria kryeson rajonin për zbatimin e reformave” -

Shqipëria vijon të kryesojë vendet e Ballkanit Perëndimor në zbatimin e reformave të parashikuara nga Instrumenti për Reforma dhe Rritje i Bashkimit Evropian.

Në mbledhjen e dytë të Komitetit Monitorues të këtij instrumenti, përfaqësues të qeverisë shqiptare dhe të institucioneve evropiane bënë bilancin e progresit të arritur deri tani, duke vlerësuar rezultatet në pesë fusha kyçe dhe fondet e zhbllokuara për mbështetjen e reformave dhe investimeve strategjike në vend.

“33 hapa reformash janë përfunduar dhe verifikuar në pesë shtylla politike: Zhvillimi i Sektorit Privat, Kapitali Njerëzor, Digjitalizimi, Energjia e Pastër dhe Sundimi i Ligjit. Mbi 212 milionë euro janë zhbllokuar dhe po përdoren në mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore dhe bashkëfinancim të investimeve strategjike. Shqipëria kryeson rajonin e Ballkanit Perëndimor për sa i përket ritmit të zbatimit të reformave. Kjo tregon se jemi në rrugën e duhur drejt Brukselit”, u shpreh Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu.

Rezultatet e deritanishme tregojnë jo vetëm përmbushjen e objektivave të reformave, por edhe forcimin e mekanizmave institucionalë që garantojnë zbatimin dhe monitorimin e tyre. Autoritetet shqiptare theksuan se çdo financim i përfituar lidhet drejtpërdrejt me reforma konkrete të verifikuara nga Komisioni Evropian.

“Ne kishim dorëzuar paketën tonë të parë të plotë raportuese prej 41 hapash reformash dhe po prisnim vlerësimin e Komisionit Evropian. Komisioni Evropian konfirmoi 21 nga këto 41 hapa, duke e vendosur Shqipërinë në krye të Ballkanit Perëndimor për sa i përket zbatimit të reformave. Financimi kumulativ i zhbllokuar i Shqipërisë tani është mbi 212.8 milionë euro, më i larti në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, këto shifra nuk janë qëllime në vetvete. Ato janë dëshmi e diçkaje më domethënëse, se sistemet tona të qeverisjes janë funksionale, arkitektura jonë e koordinimit po funksionon”, deklaroi Eridana Çano, Koordinatore Kombëtare e RGF-së.

Sipas saj, rritmi aktual i reformave do ta mbajë vendin mes performuesve më të mirë të rajonit, ndërsa zbatimi i mëtejshëm i agjendës reformuese pritet të mbështesë objektivin strategjik të integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat