Shqipëria Postuar më 30 Maj 2026, 09:51

Vendim historik për shtetësinë nga Gjykata e Lartë Greke/ Jo më kusht të ardhurat, përfitojnë mijëra emigrantë shqiptarë

Nga Alida Lula

Vendim historik për shtetësinë nga Gjykata e Lartë Greke/ Jo

Gjykata e Lartë Administrative e Greqisë, ka marrë një vendim të rëndësishëm, i cili sjell një ndryshim të dukshëm në mënyrën se si trajtohen kërkesat për shtetësi greke nga emigrantët.

Sipas këtij vendimi, marrja e shtetësisë nuk mund të varet vetëm nga të ardhurat ekonomike të aplikantit. Gjykata thekson se nuk ekziston një detyrim ligjor për të provuar një nivel minimal page apo të ardhurash vjetore për të përfituar shtetësinë greke. Kjo do të thotë, se mungesa e të ardhurave të larta nuk mund të jetë arsye e vetme për refuzimin e një aplikimi.

Në vend të kësaj, autoritetet greke janë të detyruara të bëjnë një vlerësim të plotë të integrimit të emigrantit në shoqëri. Ky vlerësim përfshin elementë të tillë, si puna dhe aktiviteti profesional, pagesat e sigurimeve dhe taksave, jeta familjare dhe shoqërore në Greqi, si dhe kohëqëndrimi dhe lidhja reale me vendin.

Gjykata gjithashtu shqyrtoi një vendim ministror të vitit 2021, i cili kishte përcaktuar disa tregues të integrimit ekonomik dhe social. Sipas interpretimit të ri, ky vendim nuk mund të përdoret për të vendosur një prag të detyrueshëm të ardhurash, por vetëm si një nga elementët e vlerësimit të përgjithshëm. Çdo refuzim automatik mbi bazën e të ardhurave, konsiderohet i papajtueshëm me ligjin.

Ky vendim, pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në mijëra dosje të emigrantëve, si ato që janë në shqyrtim, ashtu edhe në rastet e refuzuara më parë, të cilat mund të kërkojnë rishikim ligjor.

Ekspertët e vlerësojnë këtë si një kthesë të rëndësishme në politikat e shtetësisë, duke e zhvendosur fokusin nga kriteret thjesht ekonomike drejt integrimit real social dhe jetës së përditshme të emigrantëve në Greqi.

Vendimi i Këshillit të Shtetit për mijëra emigrantë, veçanërisht shqiptarë në Greqi, ky vendim shihet si një hap drejt një procesi më të drejtë dhe më njerëzor për marrjen e shtetësisë.

Kujtojmë se rreth 3 muaj më parë, Kuvendi i Greqisë ka miratuar projektligjin “Promovimi i Politikave të Migracionit të Ligjshëm”, me të cilin qeveria synon të krijojë një kuadër efektiv, si mjet për frenimin e migracionit të paligjshëm dhe për mbështetjen e ekonomisë. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat