Makinat elektrike, më të lira në Kinë – SHBA dhe Europa tashmë “kërcënohen” nga lindja e largët
Që nga viti 2015, çmimi i makinës elektrike është rritur në Europë dhe SHBA, në ndryshim nga Kina, ku çmimet janë përgjysmuar. Si rezultat, markat kineze janë gati të “zbarkojnë” në Europë. Në një raport të fundit, ekspertët hulumtuan pabarazinë në çmimet e makinave elektrike në tregjet kryesore të botës. Gjetja më e rëndësishme është se ka mospërputhje të mëdha në çmimet midis Europës-SHBA, dhe atyre në Kinë.
Në Europë në vitin 2015, kostoja mesatare e një makine elektrike ishte rreth 49,000 euro, ndërsa në gjysmën e parë të 2022, ky çmim është rritur në 56,000 euro, duke shënuar një rritje prej 14%. Ndërsa, në Europë është 27% më e shtrenjtë se një makinë me benzinë.
Në SHBA në vitin 2015, çmimi mesatar ishte pak më shumë se 53,000 euro, ndërsa në gjysmën e parë të 2022, ky çmim ishte rritur në pothuajse 64,000 euro, një rritje prej 20%. Si përfundim, një makinë elektrike në SHBA është 43% më e shtrenjtë se një makinë me gaz.
Në Kinë në vitin 2015, kostoja mesatare e një makine elektrike në Kinë ishte rreth 67 mijë euro, ndërkohë që në gjysmën e parë të 2022 ky çmim kishte rënë në më pak se 32 mijë euro, duke shënuar një rënie prej 52%. Si rezultat, një makinë elektrike në Kinë tani është 33% më e lirë se një makinë me benzinë.
Në Europë, prodhuesit e automjeteve po përqendrohen në modelet premium elektrike, çka po mban të larta çmimet mesatare të automjeteve elektrike. Në SHBA, preferenca e konsumatorëve është për automjetet e mëdha dhe SUV-të, të cilat në përgjithësi janë të shtrenjta dhe me përfitueshmëri jo të madhe në karikim, me përjashtim të vetëm të Tesla-s. Në Kinë, nga ana tjetër, qeveria po ndërhyn në mënyrë agresive për kalimin e automjeteve në elelektrike duke dhënë stimuj të fortë.
Ndërkohë, diferenca e çmimeve brenda Kinës midis automjeteve elektrike dhe atyre konvencionale është e tillë që vendos një premium për blerjen e automjeteve elektrike.
Aktualisht, prodhuesit kinezë të makinave po zgjerojnë në mënyrë aktive gamën dhe po përmirësojnë cilësinë e modeleve të tyre në mënyrë që të arrijnë standardet europiane. Në vitin 2021, prodhuesit gjermanë të automjeteve përbënin 21% të të gjitha regjistrimeve të reja të automjeteve elektrike në Europë, me prodhuesit kinezë të automjeteve në vendin e dytë me një pjesë të tregut prej 19%. Megjithatë, Kina nuk është e vetmja që dëshiron të hyjë në tregun Europian. Diçka të ngjashme dëshiron edhe India, e cila ka ndihmën e qeverisë. Në gjysmën e parë të vitit, në Indi u shitën aq automjete elektrike sa në të gjithë dy vitet e mëparshme së bashku.
Raporti tregon se shumë shpejt do të ketë një hendek të madh çmimesh midis prodhuesve të makinave Europë-SHBA dhe Kinës. Nëse kompanitë europiane nuk arrijnë të ulin koston e makinave elektrike, atëherë është e sigurt që klientët me të ardhura mesatare dhe më të ulëta do të kalojnë në modelet kineze. Prioriteti i fitimit mbi pjesën e tregut në fund mund t’u kushtojë shtrenjtë prodhuesve europianë dhe amerikanë, pasi prodhuesit kinezë dhe indianë prodhojnë modele më të lira që mund të kapin pjesën më të madhe të tregjeve botërore, madje edhe ato të konsoliduara si Europa dhe Amerika e Veriut.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.