Marrëveshje Shqipëri – Kosovë / Lehtësohen procedurat në pikat e inspektimit kufitar, për produktet me origjinë joshtazore
Këshilli i Ministrave ka vendosur miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për bashkëpunimin në lehtësimin e procedurave në pikat e inspektimit kufitar, për produktet me origjinë joshtazore.
Me qëllim promovimin e tregtisë, heqjen e barrierave dhe lehtësimin e procedurave të kontrollit, Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe qeveria e Republikës së Kosovës, duke pasur parasysh marrëdhëniet ndërqeveritare të deri tanishme, të zhvilluara në mënyrë të favorshme; me synim forcimin dhe shtrirjen e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, si dhe zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë, kanë rënë dakord, si më poshtë:
Palët bien dakord se kontrolli në import, tranzit dhe eksport të produkteve ushqimore me origjinë joshtazore, mund të kryhet në Pikën e Inspektimit Kufitar ose në doganën më të afërt të vendit të destinacionit, sipas kërkesës së subjektit. Kontrollet kryhen në përputhje me kërkesat e përcaktuara në legjislacionet e sigurisë ushqimore.
Palët bien dakord që autoritetet përgjegjëse për sigurinë ushqimore të secilës palë do të lejojnë importin dhe eksportin, shoqëruar me certifikata të njohura ose raport-analiza apo dokument tjetër të përshtatshëm, të lëshuar sipas legjislacionit të secilës palë, që garanton sigurinë ushqimore.
Palët bien dakord që autoritetet kompetente të secilës palë do të njoftojnë njëra-tjetrën për planet e kontrollit me bazë risku dhe aktet rregullatore që miratohen në fushën e sigurisë ushqimore.
Çdo Palë kryen kontrolle të ngarkesave të ushqimeve me origjinë joshtazore, gjatë importit dhe eksportit, bazuar mbi analiza risku, sipas legjislacionit të palëve.
Me qëllim zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë ushqimore, autoritetet kompetente të Palëve do të shkëmbejnë publikime profesionale dhe organizojnë trajnime të përbashkëta.
Kohëzgjatja e kësaj marrëveshjeje është për 5vjet, që nga momenti i nënshkrimit të saj. Do të zgjatet automatikisht për një periudhë tjetër prej 5 vitesh, përveç kur njëra prej Palëve kërkon ndërprerjen e saj me shkrim nëpërmjet rrugëve diplomatike, të paktën 3 muaj para përfundimit të periudhës përkatëse të vlefshmërisë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.