Mbi 4 miliardë euro gjobë për Google – Vendosi kufizime të paligjshme ndaj prodhuesve të pajisjeve Android!
Një gjykatë e Bashkimit Europian vendosi të konfirmojë një gjobë rekord kundër Google prej 4.125 miliard eurosh. Kjo është gjoba më e lartë e vendosur ndonjëherë nga komisioni europian. Ky i fundit akuzon kompaninë se ka shkelur ligjet duke detyruar prodhuesit e pajisjeve Android që të mbanin aplikacionet e tij të kërkimit dhe të shfletuesit të internetit në mënyrë që të ruante dominimin.
Kompania nga ana e saj u shpreh e zhgënjyer me vendimin. Google pretendon se ka vepruar si shumë biznese të tjera dhe se pagesa e marrëveshje të tilla ndihmojnë që Android të vazhdojë të jetë një sistem operativ pa pagesë. Google kritikoi vendimin e gjykatës europiane, duke e cilësuar shumë larg realitetit ekonomik të platformave të softuerit të celularëve.
Gjykata e Përgjithshme Europiane uli pak gjobën fillestare të Komisionit në vendimin e saj përfundimtar, për shkak se nuk u ra dakord për një nga pikat e akuzës. Por në vendimin e saj theksohej se gjykata e përgjithshme konfirmon në masë të madhe akuzën e komisionit se Google vendosi kufizime të paligjshme ndaj prodhuesve të pajisjeve mobile Android dhe rrjetit celular, me qëllim që të konsolidojë pozitën dominuese të motorit të saj të kërkimit.
Vendimi është një nxitje për kryetaren antitrust të Bashkimit Europian, Margrethe Vestager, pas pengesave të hasura në rastet që përfshijnë gjigantët e tjerë të ekonomisë si Intel dhe Qualcomm, këtë vit.
Kreu i konkurrencës së komisionit europian ka vendosur gjoba të larta për gjigantët e teknologjisë në mënyrë që të sigurohet një sektor i ekuilibruar dhe i barabartë në 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian. Vendimi do të mund të apelohet në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Europian, më e larta në Europë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.