Mbi 5700 vende të lira pune presin aplikime – Kërkesë e lartë për mësues, profesione elementare dhe zanate
Ajo që vihet re është se gama e kërkesës është e gjithanshme sa i takon formimit që duhet të kenë kandidatët, që nga ai elementar deri tek diplomë e shkollës së lartë, master apo doktoraturë.
Më së shumti kërkohen mësues për degë të ndryshme në ciklin 9 vjeçar dhe gjimnaz, farmacistë, laborantë dentarë, inxhinierë ndërtimi, menaxherë, arkëtar, ekonomistë, specialistë marketingu, etj
Ndër profesionet elementare apo zanatet kërkohen lavazhierë, marangozë, sanitarë, makinistë, kamarierë, rrobaqepës, punëtorë krahu, banakierë, kuzhinierë, punëtorë ambalazhimi, punonjës duro-alumini, mekanikë, shoferë, shitës, fermerë, mobilierë, etj. Të interesuarit mund të regjistrohen në portal duke ngarkuar cv-në e tyre dhe të aplikojnë për pozicionet që shikojnë me interes.
Një ndër problematikat kryesore që po hasin aktualisht bizneset shqiptare në vend është mungesa e fuqisë punëtore për shkak të emigracionit të të rinjve drejt tregjeve evropiane të punës si dhe pretendimet për paga më të larta duke qene se prej afro një viti kostot e jetesës janë shtrenjtuar ndjeshëm.
Vitin e kaluar qeveria ndërmori një reformë për rritjen e pagave në sektorin publik me synimin që në 2024-ën paga mesatare në administratë të arrijë në nivelin 900 euro, ndërsa ka ndërmarrë edhe një fushatë sensibilizimi në sektorin privat me qëllim ofrimin e pagesave më të mira për punonjësit.
Elisabeta Dosku/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.