Mete pret Ministrin e Deleguar Francez të Tregtisë dhe përfaqësues të bizneseve franceze!
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, priti në një takim zyrtar Ministrin e Deleguar përgjegjës për Tregtinë e Jashtme, Atraktivitetin dhe Francezët jashtë vendit të Republikës Franceze, Olivier Becht, së bashku me delegacionin që e shoqëronte.
Vizita zhvillohet në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin e Biznesit dhe Ministerialin e Ministrave të Ekonomisë të vendeve të Procesit të Berlinit, i cili zhvillohet ditën e nesërme, më 26 shtator, në Tiranë.
Në këtë vizitë, Becht shoqërohet edhe nga një grup përfaqësuesish të biznesit francez, të cilët do të jenë pjesë e Forumit të Biznesit, si edhe do të zhvillojnë takime në Tiranë me qëllim zgjerimin e investimeve të kompanive franceze në Shqipëri.
Gjatë takimit, Mete dhe Becht vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira ekonomike dhe tregtare që ekzistojnë mes dy vendeve dhe u shprehën se ka ende hapësira për forcimin e tyre në të ardhmen.
Ministri Mete falënderoi ministrin francez për mbështetjen që Franca ka dhënë dhe vazhdon të japë për Shqipërinë, në kuadër të reformave të ndërmarra nga Qeveria, zhvillimit ekonomik dhe procesit të integrimit në Bashkimin Europian.
Në mënyrë të veçantë, Mete evidentoi mbështetjen financiare që qeveria franceze jep për vendin tonë, duke mbështetur reformën në sektorin e energjisë, reformën e ujit, projektin e barazisë gjinore, etj.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë bëri një prezantim të shkurtër të situatës ekonomike në vend dhe mundësitë që ai ofron për investitorët e huaj, si edhe shprehu interesin e palës shqiptare që biznesi francez të zgjerojë prezencën e tij në vendin tonë, duke investuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, si energjia, transporti, turizmi, etj.
Nga ana e tij, Ministri Becht falënderoi z. Mete për mikpritjen dhe shprehu përgëzimet lidhur me organizimin nga ana e Shqipërisë të Forumit të Biznesit dhe Ministerialit të datës 26 shtator, ndërsa theksoi rëndësinë e madhe të procesit të Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Becht tha se Franca mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe inkurajoi Ministrin z. Mete në vijimin e reformave.
Bashkëpunimi ekonomik mes Shqipërisë dhe Francës ka njohur rritje në vitet e fundit. Prezenca e investimeve franceze në vendin tonë ka patur një trend rritës përgjatë viteve 2018-2022, duke shënuar vlerën më të lartë përkatësisht 445 milionë Euro në fund të vitit 2022. Sipas të dhënave, në territorin e Shqipërisë janë aktive 433 kompani me pronësi franceze. Ndër to, 322 kanë kapital 100% të huaj, ndërsa 111 prej tyre kapital të përbashkët.
E.S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.