Nafta, në nivelin më të ulët në 2 javë – Ndikohet nga forcimi i dollarit dhe nga mundësitë për recesion
Nafta po tregtohet e qëndrueshme në sesionin e sotëm, ndërsa një ditë më parë humbi rreth 1% të vlerës për shkak të shqetësimeve për ngadalësimin e kërkesës, ndërsa ekonomia globale po i drejtohet recesionit. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 90 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikan po tregtohet në rreth 83 dollarë për fuçi.
Të dy bençmarkët po tregtohet në nivelin më të ulët në 2 javët e fundit dhe pjesërisht rënia u ndikua nga forcimi i dollarit amerikan, pas rritjes së interesave nga Banka qendrore amerikane. Megjithatë, humbjet janë kufizuar nga tensionet gjeopolitike, pas vendimit të presidentit rus, Vladimir Putin për të angazhuar rreth 300 mijë rezervistë në luftën në Ukrainë.
Ndërkohë, disa rafineri në Kinë po konsiderojnë rritjen e prodhimit gjatë tetorit, për shkak të kërkesës së fortë në vend. Referuar të dhënave në SHBA, rezervat e naftës bruto u rritën me 1.1 milionë fuçi, gjatë javës së kaluar, në totalin e 430.8 milionë fuçive, kundrejt parashikimeve për një rritje me 2.2 milionë fuçi.
Ndër zhvillimet e tjera, Gjermania shtetëzoi kompaninë importuese të gazit, Uniper, ndërsa Britania deklaroi se do të përgjysmojë faturat e energjisë, në përgjigje të thellimit të krizës energjitike në Europë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.