Nafta, në rritje për të dytën ditë me radhë – Mbështetet nga rritja e aktivitetit të manifakturës në Kinë
Nafta po qëndron në rritje edhe në sesionin e sotëm, duke zgjeruar fitimet e një dite më parë, për shkak të zgjerimit të shpejtë të aktivitetit të sektorit të manifakturës në Kinë, që është importuesja më e madhe e naftës në botë. Nafta Brent e Londrës është ngjitur pranë 84 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 78 dollarë për fuçi.
Çmimet e naftës vijojnë të mbështeten nga pritshmëritë se kërkesa në Kinë do të rimëkëmbet ndjeshëm gjatë këtij viti. Të dhënat e publikuara treguan se aktiviteti i fabrikave u rrit për herë të parë në 7 muajt e fundit, gjatë shkurtit, ndërsa sektori i manifakturës u rrit me hapin më të shpejtë që nga viti 2012. Kërkesa e lartë në Kinë ka zbehur edhe shenjave për rritjen e rezervave të naftës në SHBA, që është konsumatori dhe prodhuesi më i madh në botë.
Rezervat e naftës në ekonominë më të madhe në botë u rritën me 6.2 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 24 shkurt, referuar të dhënave të publikuara nga Instituti Amerikan i Naftës. Gjithsesi, investitorët po presin të dhënat zyrtare që publikohen në vonë gjatë ditës së sotme nga Administrata për Informimin mbi Energjinë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.