Nafta, pranë 94 dollarë për fuçi – SHBA, presion Arabisë Saudite për të mos ulur prodhimin
Nafta po qëndron në rritje të lehtë në sesionin e sotëm, duke rikuperuar një pjesë të humbjeve gjatë tregtisë aziatike dhe amerikane. Të dhënat e publikuara në SHBA treguan një rritje të rezervave të naftës bruto, në një kohë që Uashingtoni dhe Arabia Saudite vijojnë përplasjet në lidhje me planin e OPEC+ për të ulur prodhimin. Arabia Saudite, që është “de facto” lider i OPEC refuzoi kritikat e Uashingtonit, duke i cilësuar të pabazuara në fakte.
Por, Shtëpia e Bardhë këmbënguli se i ka prezantuar sauditëve një analizë të detajuar, ku tregohet se reduktimi mund të dëmtojë ekonominë globale. Megjithatë, zyrtarët e të dyja vendeve do të vijojnë diskutimet për të arritur një zgjidhje. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 94 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 89 dollarë për fuçi.
Referuar të dhënave në SHBA, rezervat e naftës bruto u rritën me 9.9 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 7 tetor në totalin e 439.1 milionë fuçive, njoftoi Agjencia për Informimin mbi Energjinë. Analistët parashikonin një rritje të lehtë prej 1.8 milionë fuçi. Edhe rezervat e benzinës u rritën me 2 milionë fuçi, në totalin e 209.5 milionë fuçive.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.