Nafta zbret pranë 82 USD për fuçi – Rritja e interesave nga bankat qendrore mund të ngadalësojë kërkesën
Nafta po qëndron në rënie edhe në sesionin e sotëm, ndërsa investitorët po presin të tjera komente nga zyrtarët e Rezervës Federale, në lidhje me rritjen e interesave. Analistët nuk e përjashtojnë mundësitë e shtrëngimit të politikave monetare, që mund të ngadalësojnë ekonominë dhe për rrjedhojë edhe kërkesën për naftë. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 82 dollarë për fuçi, ndërsa në sesionin e kaluar ra me rreth 1.2%.
Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 76 dollarë për fuçi. Ndërkohë, të dhënat e publikuara në SHBA, që është konsumatori më i madh i naftës në botë, treguan shenja të ngadalësimit të aktivitetit ekonomik, pasi shitja e shtëpive ekzistuese ra gjatë janarit, në nivelin më të ulët që nga tetori i vitit 2010, dhe njëkohësisht ishte muaji i 12 me radhë në rënie.
Gjatë muajve të fundit, çmimet kanë gjetur një mbështetje nga pritshmëritë se kërkesa do të rimëkëmbet ndjeshëm në Kinë, për shkak të lehtësimit të masave kundër Covid-19. Analistët presin që importet nga Kina të regjistrojnë një nivel rekord, gjatë vitit 2023.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.