Një recesion po “troket” në SHBA – Fitch paralajmëron se do të ulen shpenzimet e konsumatorëve
Inflacioni dhe rritjet agresive të normave të interesit nga Rezerva Federale do ta dërgojnë ekonominë amerikane në një recesion të ngjashëm me vitet 1990, duke filluar nga pranvera. Parashikimi vjen nga agjencia e vlerësimit të kredisë Fitch Ratings, e cila uli ndjeshëm projektimet për rritjen e ekonomisë amerikane si këtë vit ashtu edhe vitin e ardhshëm, duke përmendur një nga raundet më agresive të rritjes së normave në historinë e Fed.
Fitch shpreh vlerësimin se ekonomia e SHBA vitin e ardhshëm do të rritet me vetëm 0.5%, kur parashikimi i mëparshëm i saj në qershor fliste për rritje prej 1.5%. Agjencia thekson se përshpejtimi i inflacionit do të përbëjë një lloj “hemorragjie të të ardhurave” për familjet në vitin e ardhshëm dhe do të çojë në një ulje të madhe të shpenzimeve konsumatore, saqë një ngadalësim do të pasojë gjatë tremujorit të dytë të 2023.
Ky parashikim rrit në mënyrë të pashmangshme ankthin e investitorëve, ekonomistëve dhe biznesmenëve, të cilët e shohin me shqetësim ekonominë më të madhe në botë në prag të recesionit dhe kanë kaluar vetëm dy vjet e gjysmë nga recesioni i mëparshëm.
Shënimi i vetëm optimist është vlerësimi i Fitch se recesioni i ri i ardhshëm nuk duket të jetë aq shkatërrues sa dy krizat e mëdha të mëparshme. Siç thekson agjencia e vlerësimit, SHBA hyn në këtë periudhë të vështirë nga një pozicion i fortë, veçanërisht për shkak se konsumatorët nuk kanë marrë aq borxhe sa në recesionin e mëparshëm. “Financat e familjeve amerikane janë shumë më të forta tani se sa në 2008, sistemi bankar është më i shëndetshëm dhe nuk duket të ketë aktivitet të tepërt ndërtimor dhe një çekuilibër në tregun e banesave,” tha Fitch. Recesioni i fundit i madh, i cili filloi në fund të vitit 1997, ishte më i keqi që nga Depresioni i Madh i vitit 1929 dhe kërcënoi të shkatërronte sistemin financiar.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.