Privati “urgjencë” për punonjës krahu – Cilat janë zanatet me të kërkuara nga tregu aktualisht?
Elisabeta Dosku/ SCAN
Ecuria pozitive e sektorit të turizmit dhe ndërtimit, dy nga fushat të cilat janë kyç për rritjen ekonomike në Shqipëri dhe nxitjen e konsumit, ka shtuar ndjeshëm kërkesën për punonjës krahu.
Në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, platformë në të cilën publikohen një pjesë e vendeve të punës nga bizneset, rezulton të jenë 1638 shpallje të bizneseve të cilët kërkojnë punonjës.
Ajo që vihet re është se gama e kërkesës është e gjithanshme sa i takon formimit, por aktualisht dominon urgjenca për të mbushur vakancat që kanë bizneset për punonjës krahu, pa pasur nevojë që të kenë një diplomë.
Ndër profesionet elementare apo zanatet kërkohen marangozë, sanitarë, kuzhinierë, recepsionistë, banakierë, roje sigurimi, punëtorë ambalazhimi, makinistë, kamerierë, rrobaqepës, punëtorë krahu në ndërtim godinash, saldator, betonues, punonjës duro-alumini, elektricistë, punues mermeri, mekanikë, shoferë, shitës, fermerë, lavazhierë, etj. Të interesuarit mund të regjistrohen në portal duke ngarkuar cv-në e tyre dhe të aplikojnë për pozicionet që shikojnë me interes.
Një ndër problematikat kryesore që po hasin aktualisht bizneset shqiptare në vend është mungesa e fuqisë punëtore për shkak të emigracionit të të rinjve drejt tregjeve evropiane të punës si dhe pretendimet për paga më të larta duke qene se prej afro një viti kostot e jetesës janë shtrenjtuar ndjeshëm.
Vitin e kaluar qeveria ndërmori një reformë për rritjen e pagave në sektorin publik, duke bërë që paga mesatare këtë vit në shtet të arrijë në 1 mijë euro në muaj. Ndërsa ka ndërmarrë edhe një fushatë sensibilizimi në sektorin privat me qëllim ofrimin e pagesave më të mira për punonjësit, pavarësisht se të dy sektorët nuk kanë ecur në të njëjtin drejtim në këtë aspekt.
Megjithatë këtë vit është vënë re se pagat për punëtore krahu kanë kapërcyer ato të profesioneve të trurit, duke variuar sipas zanatit mesatarisht nga 1500-2000 euro në muaj.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.