Prodhim rekord nga fotovoltaikët në BE – Në periudhën maj-gusht u kursyen rreth 29 miliardë euro
Panelet diellore fotovoltaike këtë verë kontribuan me 12% të energjisë elektrike të konsumuar nga Bashkimi Europian, një nivel rekord që lejoi kontinentin të shmangte importin e 20 miliardë metra kub gaz me një çmim prej rreth 29 miliardë euro, thotë një raport nga qendra kërkimore Ember.
Midis majit dhe gushtit, prodhimi i energjisë elektrike nga sistemet fotovoltaike arriti në 99.4 teravat orë (TWh), sipas grupit të ekspertëve, i cili është i specializuar në çështjet e energjisë. Raporti thekson se, 18 nga 27 shtetet anëtare të BE-së kanë regjistruar rekorde të prodhimit të energjisë elektrike këtë verë duke konvertuar energjinë diellore në energji elektrike, veçanërisht Holanda (23%), Gjermania (19%) dhe Spanja (17%). Nga ana tjetër, Franca është nën mesataren, me vetëm 7.7% të prodhimit të energjisë elektrike në vend që vjen nga sistemet fotovoltaike këtë verë.
Rritja më e fortë në prodhimin e energjisë elektrike u regjistrua në Poloni, ku u rrit 26 herë, e ndjekur nga Finlanda dhe Hungaria, ku u rrit pesëfish, vëren Ember, që përpunoi të dhënat nga Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmetimit për Energjinë Elektrike. (TENSO).
Pa atë prodhim, BE do të ishte detyruar të importonte 20 miliardë metra kub gaz shtesë, vlerësuan analistët, me një kosto prej 29 miliardë eurosh me çmime të regjistruara midis majit dhe gushtit.
Rritja e prodhimit nga vera e vitit 2021 deri në verën e vitit 2022 (22 TWh) lejoi që në katër muaj të kursehen 4 miliardë metra kub gaz, me vlerë më shumë se 6 miliardë euro. Megjithatë, ndonëse prodhimi nga sistemet fotovoltaike po përshpejtohet, zhvillimi i tyre ende konsiderohet i pamjaftueshëm. Sipas parashikimeve të Ember, kontinenti do të ketë instaluar më pak se gjysmën e asaj që i nevojitet për të përmbushur objektivat e BE-së për energjinë dhe klimën për vitin 2030 në vitet e ardhshme.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.