Protesta në Serbi kundër nxjerrjes së litiumit – Beogradi firmosi një marrëveshje me Bashkimin Europian
Dorina Kurtaj /SCAN
Mijëra njerëz dolën në rrugë në të gjithë Serbinë për të protestuar kundër projektit të nxjerrjes së litiumit që qeveria e vendit të tyre nënshkroi së fundmi me Bashkimin Europian.
Marrëveshja e fundit e cila u arrit në fillim të këtij muaji në lidhje me ‘lëndët e para kritike’ mund të zvogëlojë varësinë e Europës nga Kina. Mund të ketë gjithashtu efektin e shtyrjes së Serbisë, e cila ka lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën, më afër BE-së.
Megjithatë, marrëveshja është kritikuar ashpër nga ambientalistët dhe grupet opozitare në Serbi, të cilët argumentojnë se ajo do të shkaktonte dëme të pakthyeshme në mjedis, duke sjellë përfitime minimale për qytetarët serbë.
Rezerva më e madhe e litiumit në Serbi shtrihet në një luginë perëndimore që është e pasur me tokë pjellore dhe ujë. Kompania shumëkombëshe Rio Tinto kishte nisur një projekt eksplorimi në këtë zonë disa vite më parë, gjë që shkaktoi kundërshtime të mëdha, duke detyruar projektet të pezulloheshin.
Më parë këtë muaj, gjykata kushtetuese e Serbisë rrëzoi vendimin e mëparshëm të qeverisë për të anuluar projektin e minierave prej 2.2 miliardë euro të nisur nga kompania britaniko-australiane, duke i hapur rrugën ringjalljes së saj.
Vendimi i qeverisë për të anuluar planet e gërmimit erdhi pasi mijëra protestues në Beograd dhe gjetkë në Serbi bllokuan rrugët dhe urat kryesore në vitin 2021.
Presidenti serb Aleksandar Vuçic ka thënë se asnjë gërmim nuk do të fillojë para vitit 2028 dhe se qeveria do të kërkojë garanci të forta mjedisore përpara se të lejojë gërmimin.
Disa zyrtarë qeveritarë kanë lënë të kuptohet se mund të mbahet edhe një referendum për këtë çështje.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.