Pse iu hoq licenca kolegjit ‘Mehmet Akif’ – Ministria e Arsimit liston arsyet!
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, në lidhje me shkaqet që çuan në heqjen e licencës dhe mbylljen e shkollës jopublike “Mehmet Akif Ersoy”, sqaron nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale se ky vendim është rezultat i konstatimit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit të një sërë shkeljeve të legjislacionit në fuqi nga zotëruesit e licencës në fjalë.
Sipas njoftimit arsyet konkrete që çuan në këtë vendim:
- Kanë filluar procesin mësimor 2022-2023 në një vendndodhje dhe mjedise të tjera, të pamiratuara nga MAS, pra pa certifikimin ligjor përkatës të standardeve të godinës.
- Nuk i kanë plotësuar më tej kriteret ligjore edhe pse nga ana MAS është kryer dy herë verifikimi i tyre.
- Në kushtet e ushtrimit të veprimtarisë jashtë kritereve përkatëse licenca duhet të revokohet.
Ministria e Arsimit dhe Sportit bën me dije se në respekt të ligjit dhe në mbështetje të 160 nxënësve dhe të familjeve të tyre, do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të transferuar nxënësit në shkolla që përmbushin kriteret dhe standardet e funksionimit.
Në informacion nënvizohet se revokimi i licencës në fjalë nuk ka asnjë lidhje me spekulimet e ndryshme rreth shkaqeve të këtij vendimi dhe gjithashtu sqaron të gjithë të interesuarit për këtë çështje, se në këtë fillim viti shkollor nuk janë vënë re raste të tjera shkeljesh të së njëjtës natyrë dhe kriteret e standardet ligjore janë të përmbushura për të gjithë nxënësit e tjerë të shkollave jopublike.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.