Pse kompania më e madhe në Europë po padit Greenpeace për 2 milionë euro?
Shell po padit Greenpeace për 2 milionë euro dëmshpërblim pasi aktivistët hipën në anijen e prodhimit të naftës të kompanisë në tranzit në det këtë vit. Majori britanik i naftës dhe gazit paraqiti padi kundër grupit mjedisor në Gjykatën e Lartë të Londrës. Aktivistët e Greenpeace hipën në anije në janar pranë Ishujve Kanarie në brigjet e Atlantikut të Afrikës veriore. Ata udhëtuan në të deri në Norvegji në shenjë proteste për shpimin e naftës.
Në një email për agjencinë e lajmeve Reuters, Shell konfirmoi se po zhvilloheshin procedura ligjore kur u pyet nëse po paditte Greenpeace për incidentin, por nuk pranoi të komentonte mbi shumat e pretendimeve.
Anija ishte e destinuar për në fushën e naftës dhe gazit Penguins në Detin e Veriut, e cila nuk është ende në prodhim. Katër aktivistë të Greenpeace përdorën litarë për t’u ngjitur në anije nga varkat me fryrje që ndoqën anijen me shpejtësi të madhe.
Protestat në det kundër infrastrukturës së naftës, gazit apo minierave kanë qenë prej kohësh pjesë e operacioneve të Greenpeace. Dëmet që Shell kërkon përfshijnë kostot që lidhen me vonesat e transportit dhe shpenzimet për siguri shtesë, si dhe kostot ligjore, sipas një dokumenti të parë nga Reuters.
“Kërkesa është një nga kërcënimet më të mëdha ligjore kundër aftësisë së rrjetit Greenpeace për të bërë fushatë në historinë më shumë se 50-vjeçare të organizatës,” tha Greenpeace në një deklaratë.
Grupi tha se Shell ofroi të zvogëlonte kërkesën e saj për dëme në 1.3 milionë euro nëse aktivistët e Greenpeace pranojnë të mos protestojnë më kundër asnjë prej infrastrukturës së naftës dhe gazit të Shell në det ose në port.
Greenpeace tha se do ta bënte këtë vetëm nëse Shell zbatonte një urdhër të gjykatës holandeze të vitit 2021 për të ulur emetimet e saj me 45 % deri në vitin 2030, të cilin Shell e ka apeluar.
Një pretendim për dëme shtesë prej rreth 6 milionë euro nga një prej kontraktorëve të Shell, Fluor, është i pazgjidhur, sipas dokumentit të parë nga Reuters. Fluor nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Shell dhe Greenpeace kanë zhvilluar negociata që nga depozitimi i çështjes, por bisedimet përfunduan në fillim të nëntorit, tha Greenpeace, duke shtuar se tani është duke pritur që Shell të paraqesë dokumente të tjera në gjykatë.
Greenpeace tha se më pas do të shqyrtojë hapat e saj të ardhshëm, duke përfshirë mënyrat për të ndaluar procedimin e çështjes.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.