Riciklimi i baterive të makinave elektrike – Impianti gjerman do të riciklojë 30,000 ton në vit
Kristi Ceta/SCAN
Kompania e re gjermane Cylib, e cila mbështetet nga gjigantë si Porsche dhe Bosch, ka nisur në Dormagen, në jug të Duseldorfit, ndërtimin e një fabrike të madhe për riciklimin e baterive të makinave elektrike, me vlerë 180 milionë euro.
Kompania pretendon se fabrika e saj do të jetë objekti më i madh në botë i riciklimit të baterive litium-jon pasi planifikon të riciklojë rreth 30,000 tonë bateri të përdorura EV në vit.
Sipas burimeve, këto bateri të ricikluara do të përdoren nga Porsche, e cila më parë ka investuar 55 milionë euro në kompaninë Cylib. Fabrika është planifikuar të fillojë punën në vitin 2026.
Bateria mesatare e automjeteve elektrike peshon rreth 500 kg, kështu që impianti do të jetë në gjendje të përpunojë rreth 60,000 të tilla në vit. Kjo është shumë më tepër se objekti më i madh aktual i Evropës, Hydrovolt në Norvegji. Sipërmarrja e përbashkët midis Northvolt dhe firmës norvegjeze të energjisë së rinovueshme Hydro, ka një kapacitet prej 12,000 tonësh në vit.
Cylib deklaroi se impianti do t’u shërbejë kryesisht klientëve në industrinë e automobilave, prodhimin e baterive dhe industrinë kimike, dhe dëshiron të hapë fabrika të ngjashme në vende të tjera në Gjermani dhe vende të tjera evropiane.
Objekti i ri është duke u ndërtuar në një zonë të përdorur më parë nga industria kimike. Vendndodhja është strategjike dhe zinxhirët e duhur të furnizimit janë gati.
E themeluar në vitin 2022, Cylib ka zhvilluar një proces riciklimi të baterive që rikuperon të gjitha lëndët e para kritike nga bateritë. Kjo përfshin elementë kryesorë si litiumi, kobalti, nikeli, alumini dhe mangani.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.