RMV, gjykata ‘ngrin’ punësimet me bazë etnike – Kërkohet rishqyrtimi i ligjit, pasi “shkel të drejtat e kandidatëve”
Kristi Ceta/SCAN
Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut ka pranuar një mocion të paraqitur nga Komisioni Shtetëror Kundër Korrupsionit (DKSK), ku do të shqyrtojë dispozitat që kanë përfshirë kuotat etnike në punësimet në sektorin public. Derisa gjyqtarët të marrin një vendim, gjykata ka “ngrirë” përkohësisht të ashtuquajturin “Balancer”, një mekanizëm balancues që mandaton kuotat etnike për punësimet në sektorin publik dhe që ishte në fuqi për dhjetë vitet e fundit.
Komisioni kundër Korrupsionit kundërshtoi kushtetutshmërinë e dispozitave dhe mekanizmave ligjore, duke paraqitur mocionin kundër tyre në fillim të vitit 2024. Ata kundërshtuan nenet që fokusohen në përkatësinë etnike të njerëzve në Ligjin për të punësuarit në sektorin publik dhe Ligjin për zyrtarët administrativë. Gjithashtu, u kundërshtuan dispozita të ngjashme në Rregulloren që përcakton se si duhet të duken shpalljet publike për punë, si dhe të ashtuquajturin Balancues, mekanizmi që çdo institucion përdor për të përcaktuar kuotat etnike.
Komisioni argumentoi se këto dispozita i detyrojnë kandidatët të deklarojnë përkatësinë e tyre etnike gjatë aplikimit për punësim, gjë që shkel të drejtën e garantuar me kushtetutë për shprehje të lirë dhe mund të jetë një faktor skualifikues i padrejtë gjatë aplikimit të tyre. Ky institucion pohoi se përkatësia etnike është një koncept thellësisht personal që mund të jetë subjekt i ndryshimit, duke shtuar se duke marrë vendime për punësimin në bazë të përkatësisë etnike, shteti po e shpërfill edhe parimin e ekspertizës dhe kompetencës gjatë punësimeve.
Ndërsa shumica e gjyqtarëve ishin në favor të pranimit të mocionit për shqyrtim, tre gjyqtarët shqiptarë etnikë argumentuan në favor të shkarkimit të tij. “Balancer” është një mjet digjital që llogarit numrin e saktë të punonjësve të minoriteteve etnike të kërkuara në çdo organ publik. Ai buron nga marrëveshja e paqes e Ohrit që i dha fund një konflikti të shkurtër të armatosur të zhvilluar në vitin 2001.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.