Rreth 1.7 milionë netë qëndrime në gusht – Gati 92% e turistëve u akomoduan në hotele, kryesisht në zonat bregdetare
Armela Duka/SCAN
Të dhënat më të fundit mbi strukturat akomoduese që përkojnë me periudhën Gusht të vitit 2024, tregojnë se Shqipëria u vizitua nga rreth 650,600 turistë gjatë këtij muaji. Nga këto, rreth 71% e tyre ishin të huaj dhe pjesa tjetër vendas.
Në fakt, shifrat tregojnë një rritje të dukshme në treguesit e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese. Konkretisht, numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 32%, në krahasim me Gusht 2023. Nëse i kategorizojmë vizitorët sipas tipologjisë vëmë re se numri i vizitorëve vendas është rritur me 1.2%, ndërsa numri i vizitorëve të huaj është rritur me 50.6%.
Të njëjtën ecuri ka ndjekur edhe treguesi i netë qëndrimeve ku numri i tyre gjithsej është rritur me 11.3%, në krahasim me gushtin e vitit të kaluar. Rritja e netë qëndrimeve nga të huajt ishte dukshëm më e lartë se ajo e vendasve. Sipas shifrave, në terma vjetorë numri i netë qëndrimeve nga të huajt është rritur me 16.9%, ndërsa numri i netë qëndrimeve nga vendasit është rritur me vetëm 0.2%.
Gjatë këtij muaji, norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 59.6%, kundrejt 55.3% që ishte në muajin Gusht të vitit të kaluar. Ndërsa norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 67.66%.
Theksojmë se normat neto të shfrytëzimit, të dhomave dhe të shtretërve, janë dy tregues që masin përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese, dhoma e shtretër të disponueshëm për vizitorët.
Por ku u vendosën vizitorët? Rajoni i jugut ka tërhequr 38.2% të totalit tëvizitorëve, duke theksuar popullaritetin e tij për vizitorët. Po ashtu, zonat bregdetare ishin zgedhja e 75.6% të vizitorëve duke treguar preferencën e turistëve për destinacione pranë plazheve.
Ndërkohë, strukturat akomoduese si hotelet dhe akomodimet e ngjashme kanë arritur një nivel rekord me 92.7% të vizitorëvë që përdorën këtë lloj të strukturave akomoduese duke reflektuar cilësinë dhe shërbimin e ofruar në këtë sektor.
Sipas analizës së kryer nga “Scan Intel,” të dhënat për origjinën e vizitorëve në Shqipëri gjatë muajit gusht 2024 tregojnë një diversitet interesant të turistëve. Kosovarët përbëjnë 14.6% dhe Polakët, me 7.9%, kontribuojnë ndjeshëm në fluksin turistik. Ndërsa, turistët nga Italia, Maqedonia e Veriut dhe Gjermania përbëjnë 6.8%, 4.1% dhe 4.1% respektivisht.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.