Rreth 6.6 mln objekte të dërguara me postë – Posta Shqiptare shënoi rënie me 34% për dërgesat e shërbimit jo universal
Ledina Elezi/SCAN
Rreth 6.6 milionë objekte postare u dërguan nga Posta Shqiptare dhe Ofruesit e tjerë të Shërbimeve Postare gjatë tremujorit të dytë 2024. Posta Shqiptare dominon 82% të tregut me 5.4 milionë dërgesa, ndërsa ofruesit e tjerë të shërbimeve postare përbëjnë vetëm 18% të tregut me 1.1 milionë objekte të dërguara gjithsej.
Në krahasim me tremujorin e parë, ka pasur një rritje me rreth 8.4% të objekteve postare nga të gjithë kompanitë. Konkretisht, objektet e dërguara nga Posta Shqiptare shënuan një rritje me 7.7%, ndërsa ato të ofruesve të tjerë të shërbimeve postare u rritën me rreth 11%.
Për sa i përket llojit të shërbimit, volumin më të madh të objekteve postare e zë shërbimi universal postar me rreth 80% të totalit të objekteve, ndjekur nga shërbimi ekspres me rreth 17% dhe shërbimi jo universal me rreth 4%.
Konkretisht, për sa i përket Shërbimit Universal Postar, vihet re se Posta Shqiptare realizoi gjithsej 5,3 milionë objekte, nga të cilat posta brenda vendit zë 93% të objekteve postare dhe posta ndërkombëtare përbën vetëm 7% të objekteve. Në Shërbimin Universal brenda vendit janë regjistruar 4,2 milionë shërbime për objekte të thjeshta dhe 731 mijë shërbime për objekte të regjistruara/shërbime të veçanta. Në lidhje me Shërbimin Universal Postar Ndërkombëtar, janë regjistruar 176,212 objekte postare të pranuara në Shqipëri dhe të dërguara jashtë vendit dhe 193,588 objekte hyrëse nga jashtë vendit dhe të shpërndara në Shqipëri.
Për sa i përket shërbimit jo universal, objektet postare të realizuara në tremujorin e dytë të vitit krahasuar me tremujorin e parë kanë pësuar rritje në total në masën 40%, por ky tregues në mënyrë të ndarë ka shënuar rënie prej 34% për Postën Shqiptare dhe rritje me rreth 109% për ofruesit e tjerë të shërbimeve postare.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.