Rriten çmimet e naftës në bursa – Për shkak të ofertës së ulët dhe pritjeve më të forta të kërkesës
Çmimet e naftës u rritën të mërkurën në mesditë, të nxitura nga furnizimet e pakta dhe perspektiva e rritjes së kërkesës nga fillimi i sezonit veror në Shtetet e Bashkuara, konsumatori më i madh në botë i naftës së papërpunuar.
Kontratat e së ardhmes së naftës Brent të Londrës për korrikun u rritën me 44 cent, në 114 dollarë për fuçi, ndërsa kontratat e naftës së papërpunuar të Teksasit Perëndimor u rritën me 51 cent, në 110.28 dollarë për fuçi. Furnizimet globale të naftës së papërpunuar vazhdojnë të tkurren pasi blerësit shmangin naftën nga Rusia, eksportuesi i dytë më i madh në botë, mes sanksioneve pas pushtimit të Ukrainës.
Ministrja e Jashtme e Francës tha të martën se ishte optimiste se vendet që ende kundërshtojnë një paketë të re sanksionesh të Bashkimit Europian ndaj naftës ruse, mund të binden se blloku do të arrinte një marrëveshje që do të kishte efektin e pakësimit të furnizimi global.
Duke mbajtur presionin mbi furnizimin rus, një zyrtar i administratës Biden shkoi në Indi të martën për të biseduar me zyrtarë dhe drejtues të industrisë private rreth sanksioneve të SHBA-së ndaj Rusisë, ndërsa Uashingtoni kërkon të ndalojë rritjen e blerjeve të naftës ruse nga India.
Situata e furnizimit të naftës së papërpunuar po tkurret pasi udhëtimet e amerikanëve gjatë kësaj fundjave me rastin e Ditës së Përkujtimit do të jenë më të lartat në dy vitet e fundit. Ky fakt do të bëjë që kërkesa për karburant të rritet, pavarësisht çmimeve të larta.
Kërkesa e pritshme e karburantit këtë fundjavë po shfaqet në të dhënat e inventarit në SHBA. Inventarët e benzinës në vend ranë me 4.2 milionë fuçi javën e kaluar.
Në Kinë, importuesi më i madh i naftës në botë, Pekini shtrëngoi bllokimet e COVID-19, ndërsa në Shangai autoritetet planifikojnë të mbajnë shumicën e kufizimeve në fuqi këtë muaj, përpara një heqjeje të plotë nga 1 qershori.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.