Rusia shkurton sërish eksportet e gazit natyror në vendet europiane!
Rusia reduktoi sërish gazin natyror në Europë në fundjavë, duke përfshirë përgjysmimin e flukseve drejt Italisë dhe Sllovakisë dhe tërësisht në Francë, pasi vendet kanë punuar për të lehtësuar varësinë e tyre nga furnizimet ruse në mes të luftës në Ukrainë.
Kjo shënon ditën e tretë të reduktimeve të ndjeshme të karburantit që fuqizon industrinë dhe prodhon energji elektrike në Europë, të cilat kanë goditur gjithashtu Gjermaninë dhe Austrinë. Ajo ka rritur më tej çmimet tashmë të larta të energjisë që po nxisin inflacionin rekord në Bashkimin Evropian.
Rusia ka fajësuar një problem teknik për shkurtimet e gazsjellësit kryesor Nord Stream 1 që i shërben Gjermanisë dhe Francës, duke thënë se pajisjet që po rinovoheshin në Kanada kishin ngecur atje për shkak të sanksioneve perëndimore. Udhëheqësit në Gjermani dhe Itali i quajtën reduktimet një lëvizje politike dhe kjo ka përshkallëzuar tensionet energjetike në Europë, pas ndërprerjes së mëparshme të gazit natyror nga Rusia në Poloni, Bullgari, Finlandë, Holandë dhe Danimarkë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të premten se reduktimet janë “shantazh (kundër) si vendeve individuale ashtu edhe Europës në tërësi.
Rusia i tha kompanisë Sllovake të gazit të kontrolluar nga shteti SPP se do të reduktonte dërgesat në vend me 50%, tha drejtori i SPP Richard Prokypcak në një konferencë në Bratislavë. Arsyeja e uljes nuk është bërë e qartë.
Gjigandi shtetëror rus i energjisë Gazprom i tha kompanisë italiane të gazit Eni në të njëjtën ditë se do të furnizonte vetëm 50% të sasisë së gazit të kërkuar për të premten, duke reduktuar fluksin e një prej importuesve më të mëdhenj në Europë të gazit rus për të tretën ditë.
Gazprom uli me 15% dërgesën e kërkuar të Italisë të mërkurën. Agjencia e lajmeve ANSA raportoi se kompania ruse e uli atë me 35% të enjten. Italia merr 40% të gazit të saj nga Rusia, por ka punuar për të gjetur burime alternative në vende si Algjeria.
Dhe Franca nuk po merr më gaz natyror nga Rusia. Operatori francez i rrjetit të gazit GRTGaz tha se furnizimet ruse nëpërmjet Gjermanisë u ndalën të mërkurën, pasi ranë me 60% gjatë pesë muajve të parë të vitit.
Operatori tha të premten se pavarësisht ndalimit të furnizimeve ruse, nuk priten ndërprerje në furnizimet me gaz këtë verë, pjesërisht falë dërgesave të tjera përmes Spanjës. Franca normalisht merr rreth 17% të gazit të saj natyror nga Rusia, por në përgjithësi gazi është një pjesë relativisht e vogël e përzierjes energjetike të Francës, në rreth 16%.
Zëdhënësi i Ministrisë Gjermane të Ekonomisë, Stephan Gabriel Haufe, tha se shkurtimi i furnizimeve në Francë ishte “një pasojë e reduktimit të njohur tashmë” të furnizimeve me gaz nëpërmjet tubacionit Nord Stream 1. Ai nuk kishte detaje të mëtejshme për arsyet specifike të prerjes.
Rusia ka thënë se sanksionet kanadeze penguan partnerin gjerman Siemens Energy të dërgonte pajisjet që ishin dërguar atje për t’u riparuar. Qeveria gjermane tha se mirëmbajtja nuk duhet të ishte problem deri në vjeshtë dhe vendimi rus kishte për qëllim të mbillte pasiguri dhe të rriste çmimet.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.