Sa cilësor është vaji shqiptar i ullirit? – EVOO: Kemi lënë pas rajonin. Renditemi në vend të 28-të me 9 çmime të fituara
Xhorxhina Deda/SCAN
Shqipëria si pjesë e mesdheut ka një traditë mjaft të vjetër të prodhimit të ullirit dhe vajit të tij, por vitet e fundit ka marrë akoma më shumë vëmendje për shkak të potencialit që ka në ekonominë e vendit sa i përket të ardhurave që gjeneron.
Po ashtu, një rëndësi të veçantë i jepet edhe për shkak të vlerave që ka. Por si renditet vaji i ullirit ekstra i virgjër, i cili prodhohet në Shqipëri, krahasuar me vendet e tjera?
Renditja Botërore EVOO, e cila është krijuar për të promovuar për konsumatorët produktet më të vlerësuara në botë, ka ekzaminuar mostra të vajit të ullirit nga 37 vende prodhuese të ullirit ku mes tyre gjendet edhe vendi ynë.
Nga këto 37 shtete prodhuese të vajit të ullirit, Shqipëria renditet në vend të 28-të duke u vlerësuar me rreth 335 pikë për vitin 2023. Sipas të dhënave të raportit, Shqipëria ka 9 çmime të fituara sa i përket shijes dhe cilësisë së vajit të ullirit dhe është rritur ndjeshëm në renditje krahasuar me vitet e mëparshme.
Në krye të renditjes për vitin 2023 vijon të qëndrojë Italia me vajin më të mirë të ullirit, duke grumbulluar 91,866 pikë dhe me 2,199 çmime të fituara. Në vend të dytë në botë renditet Spanja, ndjekur nga Turqia në vend të tretë, e cila ka spostuar Greqinë në vend të katërt për këtë vit.
Në renditjen botërore të EVOO-s, vaji i ullirit ekstra të virgjr me origjinë shqiptare ka lënë pas Bosnje Hercegovinën, Maltën, Malin e Zi, Rumaninë dhe Bullgarinë, e cila renditet e fundit.
Sipas të dhënave të “Institutit të Statistikave” në vitin 2023, u prodhuan 117 mijë tonë ullinj, duke shënuar rënie me 25.42%, krahasuar me një vit më parë. Varietetet e ullirit për vaj përbëjnë 87.25% të prodhimit gjithsej dhe varietetet e ullirit për tavolinë përfaqësojnë 12.75%. Përpos prodhimit të vajit “Made in Albania” një peshë të konsiderueshme zë edhe produkti i importit.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.