FunData Postuar më 16 Korrik 2026, 10:41

Një në katër mjete bujqësore ndodhet në Fier/ Më shumë traktorë, por më pak makina mbjellëse në vitin 2025

Nga Xhorxhina Deda

Një në katër mjete bujqësore ndodhet në Fier/ Më

Numri i mjeteve bujqësore në Shqipëri ka ardhur në rritje gjatë viteve të fundit, duke arritur në 34,770 njësi në vitin 2025, nga rreth 31 mijë që regjistroheshin në vitin 2019. Këtu përfshihen traktorët, minitraktorët, makinat mbjellëse, motokorrëset, autokombajnat dhe frezat.

Krahasuar me një vit më parë, fondi i makinerive bujqësore është zgjeruar me 740 mjete, ose rreth 2.2%, ndërsa në raport me vitin 2019 rritja arrin në 12%. Të dhënat tregojnë se mekanizimi i bujqësisë vijon të zgjerohet, por mbetet i përqendruar kryesisht në qarqet me peshën më të madhe në prodhimin bujqësor.

Shifrat tregojnë se Fieri vijon të mbajë peshën kryesore, me gjithsej 8,804 mjete, ose më shumë se një të katërtën e totalit kombëtar. Vetëm ky qark numëron 3,174 traktorë me rrota, 1,367 minitraktorë, 979 makina mbjellëse dhe 2,266 freza.

Pas Fierit renditet Korça, me 4,814 mjete bujqësore. Së bashku, këto dy qarqe zotërojnë rreth 39% të të gjithë mekanikës bujqësore në vend, duke dëshmuar një përqendrim të lartë të pajisjeve në zonat tradicionale të bujqësisë.

Në skajin tjetër të renditjes qëndrojnë Dibra dhe Kukësi. Dibra regjistron vetëm 933 mjete bujqësore, ndërsa Kukësi 1,070 të tilla. Diferenca është e konsiderueshme, pasi Fieri ka mbi nëntë herë më shumë mjete se Dibra.

Në rang kombëtar, traktorët me rrota përbëjnë kategorinë më të madhe, me 10,745 njësi, të ndjekur nga frezat me 9,374 dhe minitraktorët me 6,240 njësi. Më të kufizuara në numër janë autokombajnat, me 743 mjete, dhe traktorët me zinxhirë, me vetëm 157 njësi në të gjithë vendin.

Krahasuar me vitin 2024, ndryshimet në kategoritë kryesore janë të moderuara. Numri i traktorëve me rrota është rritur me 113 njësi, ndërsa ai i minitraktorëve është shtuar me 72 mjete.

Në të kundërt, numri i makinave mbjellëse ka rënë nga 4,362 në 4,207, ose me 155 njësi më pak. Kjo tregon se zgjerimi i mekanizimit nuk ka qenë i njëtrajtshëm në të gjitha kategoritë, ndërsa hendeku mes qarqeve vazhdon të mbetet i theksuar.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat