Shqipëria Postuar më 16 Korrik 2026, 12:11

Pretendimet kreditore njihen si kolateral financiar - Kuadri i ri ligjor synon më shumë siguri për transaksionet, integrim me tregjet evropiane

Nga Ledina Elezi

Pretendimet kreditore njihen si kolateral financiar - Kuadri i ri ligjor synon

Në Shqipëri pritet të krijohet një kuadër i ri ligjor për sistemet e pagesave dhe kolateralin financiar, me synimin për të rritur sigurinë e transaksioneve financiare dhe për të përafruar tregun vendas me standardet e Bashkimit Evropian. Ky është ndryshimi kryesor që sjell nisma e re, e cila zgjeron ndjeshëm rregullat për funksionimin e infrastrukturës financiare.

Sipas relacionit shpjegues, kuadri i ri synon të forcojë sigurinë juridike të pagesave dhe të transaksioneve financiare, si edhe të mbrojë më mirë sistemet e pagesave dhe të shlyerjes së letrave me vlerë. Njëkohësisht, ai krijon bazën ligjore për integrimin progresiv të tregut financiar shqiptar me tregjet evropiane, në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Një nga risitë më të rëndësishme është zgjerimi i kompetencave të Bankës së Shqipërisë. Institucioni do të ketë më shumë autoritet për licencimin, mbikëqyrjen dhe inspektimin e sistemeve të pagesave, si edhe për ndërhyrje parandaluese në rastet kur identifikohen rreziqe për stabilitetin financiar. Gjithashtu, parashikohen rregulla më të qarta për bashkëpunimin me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare dhe me autoritetet evropiane.

Për herë të parë, legjislacioni shqiptar do të njohë edhe pretendimet kreditore, ose portofolët e kredive, si një formë kolaterali financiar. Pretendimet kreditore janë e drejta e një banke për të marrë mbrapsht paratë që u ka dhënë hua klientëve përmes kredive. Kjo u jep bankave dhe institucioneve financiare mundësinë të përdorin një gamë më të gjerë asetesh për të siguruar financime, duke rritur likuiditetin dhe duke përmirësuar menaxhimin e rrezikut. 

Ndryshimet parashikojnë gjithashtu mbrojtje më të fortë për pagesat dhe marrëveshjet e kolateralit edhe në rastet e falimentimit ose ndërhyrjeve të jashtëzakonshme, me qëllim shmangien e pasigurive ligjore dhe garantimin e vazhdimësisë së transaksioneve financiare. Po ashtu, synohet krijimi i kushteve për zhvillimin e mëtejshëm të pagesave moderne dhe integrimin me infrastrukturat financiare evropiane.

Sipas Bankës së Shqipërisë, këto ndryshime do të kontribuojnë në forcimin e stabilitetit financiar, rritjen e besimit të investitorëve dhe përmbushjen e një prej angazhimeve të vendit në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pa sjellë kosto shtesë për buxhetin e shtetit. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat