Shqiptarët, më “gjumashët” në botë – Gjysëm orë më shumë se mesatarja globale. Ata me arsim të lartë, 21 minuta më pak gjumë
Një grup kërkuesish kanë zhvilluar studimin më të gjerë ndonjëherë në botë mbi gjumin dhe kohëzgjatjen e tij, në 63 shtete të botës, mes të cilave edhe Shqipëria, mbi më shumë se 730 mijë individë në mbarë globin. Mesatarja globale e gjumit, sipas studimit të publikuar në revistën “Nature” fiksohet në 7 orë e 1 minutë. Por si renditet Shqipëria në këtë klasifikim pak të çuditshëm?
Jemi as më shumë e as më pak, më gjumashët në botë. Shqipëria renditet e para në planet sa i përket kohëzgjatjes së gjumit, me plot 7 orë e 32 minuta, pra 31 minuta mbi mesataren globale. Krahasuar me vendet që flenë më pak, si psh Japonia, shqiptarët duket se bëjnë rreth 1 orë më shumë gjumë. Japonia renditet ndër vendet e fundit në botë sa i përket orëve mesatare të gjumit, me vetëm 6 orë e 38 minuta, tregojnë të dhënat e studimit që mban firmën e 8 studiuesve dhe kërkuesve. Pas Shqipërisë, në renditje ndjekin Sllovakia, Rumania, Çekia, Ukraina, Serbia, Polonia, Irani, Finlanda dhe Maqedonia e Veriut, si 10 vendet më gjumashe në botë.
“Scan Intel” ka analizuar gjerësisht shifrat e studiuesve për vendin tonë, ku në analizë janë marrë 932 individë, dhe vihet re se nuk ka ndonjë diferencë të madhe mes meshkujve dhe femrave. Mesatarja globale tregon se femrat flenë rreth 7 minuta e gjysëm më shumë se meshkujt mesatarisht. Në Shqipëri tendenca është e kundërt me atë të globit, pasi meshkujt duket se flenë pak më shumë, paçka se vetëm 1 minutë diferencë. Kohëzgjatja e gjumit në Shqipëri mes fshtatit dhe qytetit duket gjithashtu e barabartë. Ajo që bie në sy nga shifrat është diferenca në kohëzgjatjen e gjumit sipas edukimit. Shqiptarët me arsim të lartë duket se flenë vetëm 7 orë e 25 minuta gjumë, ndërsa ata me arsim të mesëm, 7 orë e 46 minuta gjumë. Pra, mesatarisht ata me arsim të lartë në vendin tonë flenë 21 minuta më pak gjumë se ata me arsim të mesëm.
Japonia, Indonezia, Malajzia dhe Filipinet janë të fundit në botë në këtë renditje, me filipinezët që duket se flenë rreth gjysëm orë më pak se mesatarja globale. Europa Lindore kryeson çdo klasifikim, pra jo vetëm në total, por edhe sipas moshave dhe tipologjive të tjera. Studimi arrin gjithashtu dhe në një përfundim tjetër; se ka një korrelacion të drejtë mes kohëzgjatjes së gjumit dhe largësisë nga ekuatori. Pra, sa më afër ekuatorit të jeni, aq më shumë gjasa ka që të flini më shumë. Studimi vërteton gjithashtu diferencat e mëdha në kohëzgjatjen e gjumit mes moshave të reja dhe atyre pak më të vjetra.
Roel Korkuti/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.